Showbiz dhe TV

U pretendua se ka abuzuar me një 15-vjeçare: Flet Gjiko

Shkruar nga Anabel

29 Mars 2022

U pretendua se ka abuzuar me një 15-vjeçare: Flet Gjiko

Pak ditë më parë, disa portale pretenduan se ndaj Asdren Gjikollit, i njohur si Gjiko, ishte ngritur një aktakuzë për abuzim me një 15-vjeçare, pretendime të cilat Gjiko i ka mohuar dhe ka theksuar se ka marrë masa ligjore.

Sipas padisë së pretenduar, Gjiko “e ka mashtruar [të miturën] se do ta bënte këngëtare dhe do ta angazhonte në spote të kolegëve, prandaj e dëmtuara ka pranuar që të shkojë në banesën e të pandehurit”. Në të shkruhet se reperi ka përdorur “substanca narkotike – marijuanë me të dëmtuarën dhe ka kryer marrëdhënie seksuale”.

Anabel iu drejtua Gjikos për një koment në lidhje me pretendimet, por nuk morëm një përgjigje. Në një postim në Instagram, reperi shkruan:

“Të nderuar familjarë dhe miq,

Gjatë këtyre ditëve, unë dhe familja ime jemi duke u përballur me një të pavërtetë të sajuar. Unë nuk kam dhunuar askënd, e lëre me një 15-vjeçare. Nuk kam mashtruar dhe as nuk kam premtuar karrierë, e as nuk i kam dhënë një të miture substanca narkotike. Familja ime është shumë në rregull sepse e dinë që kjo gjë është e sajuar.”

“Unë kam përgatitur dy paditë e para dhe besoj se drejtësia do të nxjerrë në pah pastërtinë time,” thotë ai.