Dating

Pse orët e zgjatura në punë ndikojnë ndryshe tek gratë dhe burrat

Shkruar nga Anabel

14 Prill 2022

Pse orët e zgjatura në punë ndikojnë ndryshe tek gratë

Orët e gjata të punës dhe nivelet e larta të stresit s'i bëjnë mirë askujt, por një studim i ri ka treguar se tek gratë ndikon shumë më negativisht se tek burrat.

Pas një kërkimi të Universitetit të Shtetit të Ohio-s, problemet shëndetësore si sëmundje zemre, kanceri, artriti dhe diabeti janë shumë më të rrezikshme për njerëzit që punojnë rregullisht mbi 40 orë në javë. Gjithashtu u vu re një lidhje e dukshme mes gjinisë dhe nivelit të rrezikut ndaj këtyre sëmundjeve, për ata që punojnë me orë të plota për një kohë të gjatë.

Për burrat, orët e gjata të punës ndikojnë vetëm tek rreziku ndaj artritit, të tjera efekte të punës së gjatë nuk janë gjetur. Për ta madje, të punuarit më shumë mund të përmirësojë gjendjen e zemrës dhe parametra të tjerë shëndetësore.

Nga ana tjetër, gratë u shfaqën më të ndjeshme, pasi orët e gjata të punës tek to ndikonin negativisht në shumë aspekte shëndetësore; diabeti, kanceri, zemra, artriti. Kërkuesit zbuluan se tek gratë që punonin më shumë se 51 orë në javë (mesatarisht 8.5 orë në ditë për një javë pune), shfaqnin probleme me tensionin e lartë ose azmën.

Gjithsesi, kjo nuk ka të bëjë aspak me termin 'gjinia e brishtë', përkundrazi. Sipas kërkuesve, është angazhimi që gratë kanë edhe jashtë pune, në familje apo punët e shtëpisë, ai që rrit ndjeshëm nivelin e stresit duke sjellë çrregullime hormonale, të cilat shihen si shkaktari kryesor për kancerin e sëmundje të tjera.

Shpesh, punët shtëpiake e kujdesi për fëmijët quhet 'turni i dytë', për shkak se është një angazhim që kërkon shumë përkushtim, si nga ana mendore ashtu nga ana fizike.

Burimi: Psychology Today