Një pikëpresje mund të jetë një paraqitje vizuale me kuptim të çfarëdoshëm, por jo kur shoqërohet me fjalën “traumë”. Në një postim në Instagram, moderatorja Luana Vjollca tregon kyçin e dorës ku duket një tatuazh.
Siç mund ta shihni, në foto shfaqet një pikëpresje. Tatuazhi mund të ketë shumë kuptime, por duke marrë parasysh që Luana ka shkruar fjalën “traumë”, lë të kuptohet se bëhet fjalë për shëndetin mendor.

Luana, e cila ka fshirë të gjitha fotot nga Instagrami, nuk jep detaje të tjera. Mirëpo çfarë përfaqëson pikëpresja si tatuazh?
Në gramatikë, pikëpresja përdoret kur dy fjali janë të lidhura aq ngushtë sa nuk mund të vendoset pikë. Me fjalë të tjera, një pikëpresje do të thotë që mendimi nuk ka mbaruar edhe pse fjalia ka përfunduar - ka akoma edhe diçka për të shtuar.
Ky është koncepti ku u frumëzua Project Semicolon, një organizatë jofitimprurëse për të rritur ndërgjegjësimin për sëmundjet mendore, vetëdëmtimin, vetëvrasjen dhe varësinë. "Një pikëpresje përfaqëson një fjali që autori mund ta kishte përfunduar, por zgjodhi të mos e bënte,” është slogani i organizatës. “Autori je ti dhe fjalia është jeta jote”.
Project Semicolon u nis nga Amy Bleuel në vitin 2013 pasi i ati i saj kreu vetëvrasje. Nisma synonte të shërbente si një mënyrë për të frymëzuar ata që përballen me depresionin, mendime për vetëvrasje ose vetëdëmtim për të ndarë historinë e tyre dhe për t'i ndihmuar që të kuptojnë se nuk janë vetëm.

Pasi filloi si një lëvizje në rrjete sociale, nisma inkurajoi njerëzit të bëjnë tatuazh një pikëpresje në kyçin e dorës në shenjë solidariteti. Për fat të keq, Amy ndërroi jetë në vitin 2017 nga vetëvrasja. Megjithatë Project Semicolon ka vazhduar.
Ditëve të sotme, ky tatuazh (kryesisht në kyçin e dorës, por mund të bëhet kudo) është kthyer në simbol për betejat me shëndetin mendor. Njerëzit zgjedhin të bëjnë këtë tatuazh për të nderuar dikë – një mik, një të afërm ose veten – ose për të rritur ndërgjegjësimin për shëndetin mendor.