TV Mania

Luana Vjollca prezanton projektin e ri

Shkruar nga Anabel

10 Maj 2022

Luana Vjollca prezanton projektin e ri
Foto: @thuaje.luanavjollca/Instagram

Luana Vjollca prezantoi projektin e saj të ri përmes një videoje që tregon rrugëtimin në televizion, nga velinë, moderatore e parashikimit të motit, prezantuese e deri te autore programesh, pa harruar edhe përfshirjen në muzikë.

Siç e ka përmendur edhe më parë, projekti i ri mban titullin “Thuaje”.  Videoja prezantuese përqendrohet te Luana, por në fund ajo përmend vajzat, gratë dhe forcën e tyre, që do të thotë se mund të bëhet fjalë për një program me në qendër historitë e tyre. 

Kujtojmë se më parë, Luana e ka përshkruar projektin, si një “projekt personal, i cili më shumë se gjithçka tjetër është zëri im i brendshëm, i cili dua fort të shërbejë edhe si zëri i secilit prej jush, për të tejkaluar çdo sfidë të jetës”. Së fundmi, ajo u shfaq me një tatuazh që është simbol për çështjet e shëndetit mendor, shoqëruar me fjalën “traumë”. Probleme të shëndetit mendor, trauma, histori, rrëfime, vajza, gra (ndoshta edhe djem e burra) mund të jenë fjalët kyçe të projektit “Thuaje”.

Referuar postimit, “Thuaje” do të nis këtë vit dhe nuk dihet nëse do të transmetohet në televizion, një platformë të caktuar apo rrjete sociale.

Luana njoftoi largimin nga Top Channel në fund të shtatorit 2021. “Nga ky sezon nuk gjendem nën logon e Top Channel (i cili do të mbetet përherë shtëpia ime, ku u rrita dhe u zhvillova për 15 vite)," tha ajo.