“Ne, fëmijët e kopshtit zoologjik të Berlinit” (titulli në orgjinal: “Wir Kinder vom Bahnhof Zoo”) është një roman-dokument me një vërtetësi tronditëse që theu heshtjen mbi përdorimin e drogës nga të rinjtë.
Libri është një autobiografi e jashtëzakonshme e Christiane Vera Felscherinow-it dhe adoleshentëve të tjerë të Berlinit perëndimor, në fund të viteve 1970.
Ai u botua për herë të parë më 1979 nga gazetarët gjermanë K. Hermann dhe H. Rieck dhe nga protagonistja Christiane Vera Felscherinow dhe lindi nga një sërë intervistash që gazetarët zhvilluan për rreth dy muaj me Christiane-n, e cila në atë kohë ishte e akuzuar dhe dëshmitare në një gjyq, që përfundoi në qershor 1978 me dënimin e saj për përdorim droge dhe prostitucion.
“Ne, fëmijët e kopshtit zoologjik të Berlinit”, botuar nga Pegi, është i pajisur me fotografitë reale të protagonistëve të historisë, vendeve ku mblidheshin, diskotekave dhe udhëkryqeve ku ishin të detyruar të prostituonin.
Christiane Vera Felscherinow (Hamburg, 20 maj 1962) nga një vajzë e re narkomane u shndërrua në një figurë simbolike kundër abuzimit me drogën, si dhe e problemeve të të rinjve në shoqërinë gjermane. Pas daljes së librit, u orvat t’i përkushtohej karrierës muzikore dhe ka bërë një jetë endacake. Vite më vonë, ra sërish pre e heroinës, pas së cilës iu nënshtrua terapisë. Ajo jeton në Berlin dhe ka një djalë.