Që të kuptohemi si fillim #DateNights nuk kanë pse të ndodhin domosdoshmërisht natën! Ti dhe partneri yt mund të rezervoni kohë vetëm dhe vetëm për njëri-tjetrin në çdo moment të ditës! Ideja e takimeve romantike ose siç i njohim ndryshe "date night" është kalimi i kohës cilësore me njeriun që keni në krah, ose atë me të cilin po frekuentoheni prej pak kohësh. Pas një studimi të kryer në institutin The Gottman rezultoi se çiftet që të paktën dy orë gjatë javës ia dedikonin takimeve cilësore me njëri-tjetrin, kishin lidhje më të lumtur se të tjerët.
Ç'lloj takimesh mund të zgjasin minimalisht dy orë?
1. Bëni një xhiro të gjatë ose ecje nga Liqeni gjithë pasditen bashkë
2. Uluni në barin që ju pëlqen të dyve dhe flisni për gjithë çfarë s'keni folur
3. Hani një darkë bashkë, ose gatuani të dy në shtëpi
4. Për ndryshim, vizitoni një muze ose shihni një film në kinema
5. Bëni një kurs të dy për të mësuar diçka të re
6. Rezervoni një ditë për të bërë një sport në natyrë
7. Shkoni në një festival apo event që zhvillohet së fundmi në qytetin tuaj
Pse janë kaq të rëndësishme takimet romantike?
Të kalosh kohë cilësore pa shpërqëndrime nga bota jashtë, ndikon pozitivisht në afrimitetin tuaj si çift. Eshtë thuajse e rrallë t'i japësh vëmendje partnerit pa u shpërqëndruar nga puna, fëmijët, punët e shtëpisë apo telefonat. Takimi romantik i dedikuar është pikërisht për të eleminuar gjithçka tjetër dhe për t'u fokusuar tek ai/ajo. Fikja e telefonave do të ndihmonte shumë. Gjatë kësaj kohe ju akumuloni vetëm emocione pozitive dhe nisni ta shihni ndryshe partnerin dhe marrëdhënien me të. Kthejeni në ritual në mënyrë që ta keni më të thjeshtë të nesërmen dhe në vijim të përballeni me aktivitetet e përditshme. Ndani me njëri-tjetrin gjëra që të dy i doni, nga një puthje mëngjesi tek mënyra sesi i festoni ditët e rëndësishme të fëmijëve tuaj.
Këto takime kaq specifike ju ndihmojnë të kuptoni në ç'pikë të raportit jeni ti dhe ai/ajo. Çfarë duhet të bëni nëse ka vend për përmirësim dhe sa shumë përpjekje duhet prej secilit. Diskutimet gjatë një #datenight janë diskutime përgjithësisht që nisin dhe përfundojnë në paqe, pasi atmosfera është e tillë.
Mos harroni të bëni qejf! Në një lidhje të shëndetshme, është e rëndësishme të kënaqeni me praninë e njëri-tjetrit. Ju ndihmon të balanconi stresin dhe përgjegjësitë e çdo dite.
Burimi: Psychology Today