Billie Eilish foli për sindromën Tourette në një intervistë me David Letterman për show-n e tij në Netflix, "My Next Guest Needs No Introduction".
Billie u diagnostikua në moshën 11-vjeçare me çrregullimin neurologjik, i cili mund të shkaktojë tinguj të pakontrollueshëm dhe të padëshiruar dhe/ose lëvizje të përsëritura. Ajo tha se njerëzit ndonjëherë keqkuptojnë atë që po ndodh.
"Mënyra më e zakonshme që njerëzit reagojnë është duke qeshur sepse mendojnë se po përpiqem të jem qesharake," tha ajo. "Dhe unë jam gjithmonë jashtëzakonisht e ofenduar nga kjo."
Billie shtoi se disa nga tiket nervore janë qetësuar, por jo të gjithë. "Këto janë gjëra që nuk do t'i vini re kurrë nëse thjesht po bëni një bisedë me mua. Por për mua janë shumë rraskapitëse."
Ajo tha se është e lumtur të flasë për këtë dhe shtoi se nuk përjeton tike gjatë kohës që është duke performuar.
Sindroma Tourette është një problem me sistemin nervor që i bën njerëzit të bëjnë lëvizje ose të lëshojnë tinguj të papritur, të quajtur tike, që nuk mund t'i kontrollojnë. Për shembull, dikush me Tourette mund të pulisë sytë ose pastrojë fytin pa pushim. Disa njerëz mund të thonë fjalë që nuk kanë ndërmend t'i thonë.
Tiket ndahen në tike motorike dhe vokale. Tiket motorike përfshijnë kërcitjet e krahut ose kokës, pulitjen e syve, bërjen e një shprehie të caktuar, ngritjen e supeve etj. Tiket vokale përfshijnë pastrimin e fytit, kollitjen, brohoritjen, nuhatjen, përsëritjen e asaj çfarë thotë dikush tjetër etj.
Për më shumë informacion mbi sindromën Tourette, klikoni këtu.