Instagramming

Fifi u përgjigjet njerëzve që e krahasojnë me Adrola Dushin dhe komenteve negative për lidhjen e re!

Shkruar nga Anabel

31 Maj 2022

Fifi u përgjigjet njerëzve që e krahasojnë me Adrola Dushin

Duke publikuar një mesazh dashakeq në Instagramin e saj, Fifi tregon se "merr minimalisht 100" të tillë në ditë dhe kjo, vetëm prej lidhjes së saj të re me Adis Patushin.

Duke qenë se komentuesit kapen me faktin se Adisi ka një fëmijë apo se "ka qenë i martuar", Fifi thotë se "e respekton fëmijën si të jetë i saji", dhe se ajo fatmirësisht, s'ka patur asnjë lidhje me ndarjen e partnerit të saj nga Adrola Dushi.

"Po e poston shumë, turp; Hapi sytë; Fifi është e shëmtuar; Ç'do me këtë burrë të martuar etj", janë vetëm disa nga komentet, të cilave Fifi u përgjigjet kështu:

"Përtej këngës, muzikës, kam edhe unë një jetë. Gabimi im trashanik ishte se e bëra publike dhe e ndava me ju. Por e bëra. Nëse s'ju pëlqen më bëni 'block', por më lini të jetoj."

Në një tjetër Instastory, ajo përmend dhe krahasimet që njerëzit i bëjnë me Adrolën.

"Adrola? Yll, pa diskutim. Dhe po, absolutisht një prej femrave më të bukura që më kanë parë sytë. Do e respektoj çdo ditë, jo vetëm si nënë e fëmijës së njeriut me të cilin po jetoj, por si grua, si vajzë, si shembullin më të mirë të një gruaje që punon dhe rrit krijesën më të shtrenjtë në botë. Të më shani? Ta shani? Block", përfundon Fifi.

Në 6 shkurt të këtij viti, Fifi konfirmoi romancën me Adis Patushin, ish-bashkëshortin e Adrola Dushit dhe babain e një djali, Troit.