
“Dopamine fasting” apo agjërimi nga dopamina, krijuar nga psikiatrja nga Kalifornia, Dr. Cameron Sepah, ka shumë pak të bëjë me agjërimin dhe me dopaminën. Dopamina është vetëm një mekanizëm që shpjegon sesi varësitë mund të përforcohen dhe krijon një titull tërheqës. Titulli nuk duhet të merret fjalë për fjalë. Fatkeqësisht, me një emër kaq të lezetshëm, kush mund t'i rezistonte? Këtu fillojnë keqkuptimet.
Cila është ideja pas “dopamine fasting”?
Ajo që Sepah synonte me agjërimin e dopaminës ishte një metodë, e bazuar në terapinë konjitive të sjelljes, me anë të së cilës ne mund të bëhemi më pak të dominuar nga stimujt jo të shëndetshëm - mesazhet, njoftimet, bip-et - që shoqërojnë të jetuarit në një teknologji moderne.
Në vend që t'u përgjigjemi automatikisht këtyre sinjaleve, të cilat na shkaktojnë një ngarkesë të menjëhershme, por jetëshkurtër, ne duhet t'i lejojmë trurit tonë të bëjë pushime nga ky "bombardim". Ideja është që duke e lejuar veten të ndihemi të vetmuar ose të mërzitur, ose të gjejmë kënaqësi duke bërë aktivitete më të thjeshta dhe më të natyrshme, ne do të rifitojmë kontrollin mbi jetën tonë dhe do të jemi më të aftë të trajtojmë sjelljet që mund të ndërhyjnë në lumturinë tonë.
Disa sjelljet që mund t'i përgjigjen një agjërimi të dopaminës janë: ngrënia emocionale, përdorimi i tepërt i internetit dhe lojërat, bixhozi dhe shopping, pornografia dhe masturbimi etj. Megjithatë, agjërimi nga dopamina mund të përdoret për të ndihmuar në kontrollin e çdo sjelljeje që ju shkakton shqetësime ose ndikon negativisht në jetën tuaj.
Ju nuk mund të "agjëroni" nga një kimikat natyral i trurit
Dopamina është një nga neurotransmetuesit e trupit dhe është i përfshirë në sistemin e trupit tonë për shpërblim, motivim, mësim dhe kënaqësi. Ndërsa dopamina rritet si përgjigje ndaj shpërblimeve ose aktiviteteve të këndshme, ajo në fakt nuk zvogëlohet kur shmangni aktivitetet e tepërta stimuluese, kështu që një "agjërim" i dopaminës në fakt nuk ul nivelet tuaja të dopaminës.
Thënë këto, përpara se të lexoni terma të këndshëm në TikTok apo rrjete të tjera sociale, si “dopamine detox”, bëni kërkimet tuaja më të thelluara.
Burimi: Harvard Health