Kafshë

A meriton elefanti Happy të drejta si njerëzit? Vendos gjykata në New York

Shkruar nga Anabel

15 Qershor 2022

A meriton elefanti Happy të drejta si njerëzit? Vendos gjykata në

Ju kujtohet Happy? Një elefant femër 47-vjeçare që jeton në kopshtin zoologjik të Bronx-it që nga vitet 1970 për të cilën një organizatë kërkonte që të kishte të drejtat themelore të njeriut? Gjykata vendosi.

Gjykata më e lartë e New York-ut vendosi me një shumicë 5-2 që Happy nuk mund të konsiderohet ligjërisht person, “ndonëse akush nuk e kundërshton faktin që elefantët janë qenie inteligjente që meritojnë kujdesin dhe dhembshurinë e duhur."

Nonhuman Rights Project (NhRP), një organizatë jofitimprurëse e të drejtave civile që mbron personalitetin juridik të majmunëve të mëdhenj, elefantëve, delfinëve dhe balenave, paraqiti pak kohë më parë peticionin kundër kopshtit zoologjik në vitin 2018 dhe kërkonte "njohjen e personalitetit juridik të Happy-t dhe të së drejtës themelore për lirinë trupore dhe lirimin.”

NhRP argumentoi se në kopshtin zoologjik të Bronx-it, Happy mbahet njësoj si në izolim, gjë që ata thanë se është veçanërisht mizore duke pasur parasysh se elefantët janë krijesa shumë shoqërore që lëvizin nëpër zona të mëdha në natyrë. Organizata kërkoi që Happy të zhvendosej në një vend të denjë për elefantët, ku thonë se do të kishte më shumë hapësirë si edhe do të ishte në kontakt me elefantë të tjerë.

Dy gjyqtarë, Rowan Wilson dhe Jenny Rivera, votuan ndryshe nga të tjerët duke thënë se fakti që Happy është një kafshë, nuk e pengon atë të ketë të drejta ligjore. Rivera shkroi se Happy po mbahej në "një mjedis që është i panatyrshëm për të.”

Sipas NhRP, elefantët "kanë aftësi të shumta të ngjashme me njerëzit, të tilla si vetëdija, ndjeshmëria, ndërgjegjësimi për vdekjen, komunikimi i qëllimshëm, të mësuarit, kujtesa dhe aftësitë kategorizuese", gjë që i bën ata të meritojnë në mënyrë unike të drejtën për habeas corpus – një ndihmesë ligjore përmes të cilit një person, ose një kafshë në këtë rast, mund të raportojë paraburgim ose burgim të paligjshëm.

Kopshti zoologjik ka argumentuar të kundërtën. Happy ka kontakt me një elefant tjetër dhe për të kujdesen njerëz si "veterinerë të kafshëve të mëdha të trajnuar mirë dhe mbajtës të kafshëve që e trajtojnë Happy-n me respekt dhe dashamirësi". Ata theksojnë se kopshti zoologjik është i certifikuar dhe Happy, si të gjithë kafshët e kopshtit zoologjik, mbrohet nga Ligji për Mirëqenien e Kafshëve.

Vendimi i gjykatës më të lartë të New York-ut nuk mund të apelohet.