Original

Këshillat e avokatit Egli Haxhiraj: Çfarë duhet të dini para se të nisni biznesin tuaj!

Shkruar nga Anabel

24 Qershor 2022

Këshillat e avokatit Egli Haxhiraj: Çfarë duhet të dini

Ka momente kur ndjen se asgjë s'po shkon siç e kishe menduar, kur je lodhur duke pritur rrogën në fund të muajit dhe mbi të gjitha kur asnjë justifikim që pengon ndryshimin nuk vlen më! Eshtë fiks ky çasti kur mendjen ta ngacmon mendimi që mund të të ndryshojë jetën: të heqësh dorë nga gjithçka dhe të nisësh biznesin tënd!

Kompanitë më të suksesshme e kanë fillesën pikërisht nga ky moment, por ajo që duhet të dini është se rruga drejt vizionit tuaj është shumë e gjatë dhe e komplikuar. Nëse ndodheni në këtë fazë të jetës dhe s'dini nga t'ja nisni, ky artikull mund t'ju vijë në ndihmë. Një kompani/biznes i suksesshëm nuk ndodh rastësisht dhe patjetër që keni nevojë për frymëzim, motivim dhe këshilla. Këto të fundit kësaj here do t'jua japë Egli Haxhiraj, përmes gjithçkaje që historia e tij e suksesit i ka mësuar ndër vite.

Haxhiraj është themelues dhe CEO i një prej studiove ligjore dhe fiskale më të rëndësishme në Tiranë, "Fare Impresa".

Së fundmi, Egli është vlerësuar si një prej sipërmarrësve më të suksesshëm shqiptar, në listën e "40 under 40". Ai prej kohësh shërben gjithashtu si avokat i kompanive ndërkombëtare dhe personazheve të botës së medias dhe spektaklit, prandaj shpesh krah emrit të tij keni dëgjuar titullin "Avokat i Vipave".

Projekti i tij i fundit, ishte Big Brother Albania, ku mbuloi gjithë çështjet ligjore të reality show-it. Më shumë se 500 sipërmarrje të huaja që kanë investuar në vendin tonë, kanë zgjedhur pikërisht Eglin si avokat dhe mentor për mbarëvajtjen e kompanive, por çfarë do t'ju këshillonte avokati fillestarëve?

1. Komunikimi i qartë i qëllimit

"Unë them gjithnjë se një kompani e cila nuk ka një vizion dhe mision të komunikuar qartë që në fillimet e saj është e destinuar të mos ketë sukses. Statistikisht bizneset të cilat lindin me qëllimin e vetëm në vetvete (fitimin e të ardhurave) kanë një jetëgjatësi mesatarisht 5 vite dhe falimentimi është i pashmangshëm. Në fazat para themelimit të një start up-i përshembull, unë i këshilloj klientët e mi që të mbajnë atë që quhet “vision board”. Për një sipërmarrës, hedhja në letër e vizionit e ndihmon atë të shohë "the big picture" (tablonë e qartë) dhe të përcaktojë më mirë qëllimet e veta."

2. Diferencimi i produktit/shërbimit nga konkurrenca. I thjeshtë me fjalë, por si arrihet?

"Si fillim, për t'u dalluar nga konkurrenca duhet të krijoni një kompani e cila është totalisht e fokusuar tek klienti. Duhet të dini gjithçka mbi ta dhe problemet e tyre, cilat janë problemet, ëndrrat që kanë dhe çfarë do t'i jepte atyre një vlerë të shtuar. Mund ta bëni këtë duke përdorur një Avatar ose Buyer Persona, një identitet i cili përmbledh të gjitha karakteristikat e zakonshme që kanë klientët tuaj, derisa të ndërtoni një model të klientit ideal. Kjo do t'ju ndihmonte të diferencoheshit nga konkurentet tuaj.

Mënyra tjetër është krijimi i brand-it në mënyrë sa më origjinale dhe lehtësisht të dallueshme nga publiku. Janë detajet harmonike duke nisur që nga logo, ngjyrat, mesazhi etj, etj që do t'ju bënin të pikaseni më thjeshtë në treg. Padyshim që shumë e rëndësishme është mbrojtja ligjore e produkteve apo shërbimeve nga imitimi i konkurrencës nëpërmjet rregjistrimit të markës tregtare, patentave dhe licencave."

3. Rreziqet që duhet të merrni parasysh para se të nisni idenë e biznesit

"Fluksi i parasë është një nga shtyllat kryesore mbi të cilën duhet të ndërtojnë kompaninë e tyre sipërmarrësit. Paraja, është le të themi gjaku që rrjedh në venat e biznesit, prandaj i duhet kushtuar rëndësi të madhe menaxhimit të saj.
Para se të nisni biznesin keni nevojë për një investim fillestar që quhet ndryshe “Seed Money”. Gabimi më i madh që bëjnë sipërmarrësit është se krijojnë modele biznesi shumë të mëdha që në filllim dhe rrjedhimisht që të tilla modele kërkojnë investime parash të konsiderueshme. Duhet të dini që edhe nëse e siguroni në fillim këtë shumë parash, duhet treguar kujdes sepse kompania mund të dështojë nëse nuk ke vërtetuar më parë që mund të gjenerosh Cashflow prej saj."

4. Kontrata dhe rëndësia e saj

"Shumica e marrëdhënieve juridike nuk formalizohen aspak në një kontratë apo marrëveshje të shkruar dhe ky është një ngërç i madh.Bizneset në Shqipëri përgjithësisht nuk përdorin mjetet e planifikimit ligjor dhe fiskal dhe çdo gjë bëhet në mënyrë mjaft të improvizuar dhe amatoreske. Si pasojë kjo shpjegon numrin e madh të konflikteve në vendin tonë."

5. A po ofron produktin/shërbimin e duhur?

"Këtë mund ta thotë vetëm tregu dhe përgjigja e konsumatorëve, por sigurisht që duhet një analizë e detajuar para. Një gabim që ndodh rëndom me sipërmarrësit është se bien në dashuri me produktin e tyre para se ta lançojnë në treg dhe nuk pranojnë ta ndryshojnë apo përmirësojnë atë pavarësisht sinjaleve.

Për të evituar këtë ju mund te krijoni një prototip të thjesht të produktit/shërbimit dhe ta hidhni në treg për të parë se si reagon tregu ndaj tij. Ky test fillestar do ju kursente shume kohë dhe para të investuara në drejtimin e gabuar."

6. Rëndësia e një avokati në ngritjen e biznesit tuaj

"Një avokat i zoti është vendimtar në suksesin e një kompanie. Njohuria e ligjit dhe shfrytëzimi maksimal i hapësirave që ligji lejon për të arritur suksesin më shpejt dhe në mënyrë të sigurtë, janë element kyç që të japin një avantazh ndaj konkurrencës që ndoshta s'i ka këto njohuri. Prandaj ne, në "Fare Impresa" u vendosim në dispozicion klientëve tanë ekspertët më të mirë në avokati, ekonomistë dhe strateg marketingu, për t'u dhënë kështu një shtytje edhe më të madhe suksesit të tyre."

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.