Noizy nuk e ka shumë të qartë procesin se si shkohet në Eurovision, por do të kishte shumë dëshirë të përfaqësonte Shqipërinë në festivalin europian të këngës.
“Do të kisha dëshirë të shkoja në Eurovision. Do bëja maksimumin tim. Kam shumë fansa të fuqishëm që do të më mbështesnin dhe nuk do e lija Shqipërinë në baltë dhe as nuk do t’i zhgënjeja shqiptarët. Kështu që pse jo,” tha reperi në “ABC e Pasdites” me Ermal Peçin.
Reperi tha se “nuk e di si shkohet aty, si funksionon për të hyrë” - konkurrohet te “Festivali i Këngës” në RTSH për ju që ashtu si Noizy nuk keni informacion për procesin e përzgjedhjes. “Nëse dikush e sheh këtë video, producentët që merrem me këtë punë, ta shohin me interesim këtë gjë sepse do kem impakt dhe do shkojmë shumë lart.”
“Nuk më intereson që të fitoj, por të jem atje dhe garantoj se fakti që do të jem atje do të bëhet diçka e madhe dhe kënga do të bëhet shumë e madhe,” përfundoi ai.
Një këngë hip-hop do shënonte herën e parë që Shqipëria do të përfaqësohej me këtë zhanër muzikor. Duke marrë në konsideratë suksesin që kanë pasur kohët e fundit disa këngë që përmbajnë pjesë rap – si “Soldi” nga Mahmood, “Brividi” nga Mahmood dhe Blanco apo kënga fituese e edicionit të fundit “Stefania” e Kalush Orchestra – nuk do të ishte çudi që një këngë rap të mirëpritej nga audienca europiane.