Zërat se Ori Nebijaj dhe Isli Islami nuk do të jenë më moderatorë të programit të mëngjesit në Top Channel, ”Wake up”, janë të vërtetë. Sezonin e ardhshëm televiziv, “Wake up” do të vijë në një format të ri nën drejtimin e Blendi Salajt.
Blendi Salaj zbuloi ekskluzivisht për Anabel: “Më është besuar autorësia dhe moderimi i programit nga shtatori e tutje. Do të jetë i riformatuar me eksperiencën radiofonike në fokus, pa lënë pas ekranin natyrisht.”
Salaj shtoi, “do të jem i shoqëruar në moderim natyrisht dhe me më shumë se një person. Po formojmë një grup. ‘Wake up’ do të ketë shumë zëra.”
Aktualisht, Blendi Salaj, me përvojë si producent në radio dhe televizion, drejton programin “Dita jonë” me Aulona Mingën në A2.
Përflitet se Ori Nebijaj do të prezantojë “Për’Puthen” (kujtojmë se Bora Zemani do të largohet për të prezantuar “Dancing with the stars”), ndërsa Isli do të jetë pjesë e “Dancing with the stars”, por është e paqartë nëse do të jetë pjesëmarrës si konkurrent, apo si prezantues në “Gold Room” (dhoma ku qëndrojnë konkurrentët). Anabel u përpoq të kontaktonte me Orin dhe Islin, por nuk i janë përgjigjur kërkesës sonë për koment.