Showbiz dhe TV

Dojna Mema flet për rikthimin në ekran dhe programet që mund të prezantojë

Shkruar nga Anabel

9 Gusht 2022

Dojna Mema flet për rikthimin në ekran dhe programet që mund
Foto: Revista Who

Dojna Mema është në pritje të ëmbël dhe mezi po e pret momentin kur ajo dhe partneri, Vlashent Sata, të marrin në krahë bebushin e tyre. Megjithatë, edhe në këtë rrugëtim të ri, “sa i bukur, aq edhe rraskapitës”, moderatorja nuk e ka menduar të tërhiqet nga ekrani.

Në një intervistë për kopertinën e Revistës Who, Dojna tregoi se çfarë do të ndodhë me të pas ardhjes në jetë të djalit.

“Kjo është shtatzënia ime e parë dhe as vetë nuk e di se çfarë do të ndiej pasi ai të ketë ardhur. Është një rrugëtim sa i bukur, aq edhe rraskapitës. Megjithatë as nuk e mendoj tërheqjen nga ekrani, për sa kohë puna më jep energji dhe më bën të lumtur. Nëse gjithçka shkon mirë dhe do të ndihem gati, rikthehem në ekran në janar. Përpara se të bëhem nënë, jam grua që kam dëshirat dhe ëndrrat e mia. Jam e bindur që as im bir s’do të donte të kishte një mami e cila heq dorë nga një pjesë e jetës së saj për të cilën ka punuar që 19 vjeçe. Fatmirësisht punoj në një ekran ku gratë tregojnë çdo ditë se sa të forta janë dhe se mëmësia s’ka qenë kurrë një problem. Përkundrazi, ka plot shembuj nënash fantastike që frymëzojnë në “Top”. – tha ajo.

Në lidhje me formatin që do të donte të prezantonte, Dojna u shpreh:

“Kam provuar shumë në media dhe formatet ekzistuese që do të dëshiroja të bëja, i kam bërë. Fillimisht radio, më pas prezantimi i “Top Fest 12” kur isha vetëm 22 vjeçe, autorësia e parë me “Pop Culture”, prezantimi i një formati ndërkombëtar si “The Voice Kids 3” dhe përgjegjësia që “Fan Club” kishte si format nga ana e autorësisë, por edhe e moderimit. Më mungon një format “Late night show” duke qenë se njerëzit që më njohin nga afër thonë se kam një humor që i rri shumë mirë atij orari, për më tepër e mendoj vërtet që intervistat dhe bisedat janë pika ime e fortë. Më pëlqejnë formatet “reality” sepse nuk i kam prezantuar ndonjëherë dhe më duken sfiduese në menaxhim. Gjithashtu do të më pëlqente një format që do të krijohej nga hiçi dhe të mund ta personalizoja me dikë të rëndësishëm për mua. I kam dy emra ndërmend, brenda familjes sime.”