
Kur dikush është shtatzënë (ose ju), shpesh është një kohë spekulimesh nëse foshnja do të jetë djalë apo vajzë. Ndonjëherë, nënat thonë se thjesht e dinë nëse do të bëhen me djalë apo me vajzë.
Në një intervistë për Revista Who, Dojna Mema u shpreh: “Në rastin tonë, nuk po luteshim për të patur një fëmijë, por kur e zbuluam e deshëm me gjithë forcën tonë. Unë e kam ndjerë që në atë çast edhe gjininë e tij. E dija që ishte djalë. Ka diçka magjike, prej një tjetër bote, në ndjesitë dhe intuitën e një gruaje shtatzënë.”
A janë kryer studime për intuitën e grave shtatzënë? Po. Një studim interesant hulumtoi nëse intuita e një gruaje në lidhje me gjininë e foshnjës ishte apo jo e saktë (McFadzen, Dielentheis, Kasten, Singh dhe Grundle, 2017). Gratë që ndiqnin një klinikë obstetrike u pyetën nëse kishin ndjesi për gjininë e foshnjës së tyre; 411 gra (40%) thanë se po. Parashikimi i tyre u krahasua me rezultatet në fund. Pra? Intuita e nënës parashikoi saktë gjininë në 51% të rasteve.
Studimi vuri në dukje se gratë që raportuan një intuitë të fortë patën rezultate më të mira (duke parashikuar saktë gjininë e foshnjës në 62% të rasteve). Megjithatë, autorët e studimit arritën në përfundimin se intuita funksiononte njësoj si të hamendësosh kur hedh një monedhë.
Megjithatë, disa kërkime shkencore të tjera sugjerojnë të tjera rezultate. Në Universitetin e Arizonës, pedagogu i psikologjisë Victor Shamas, Ph.D., analizoi disa nëna të ardhshme që nuk e dinin ende seksin e foshnjave të tyre. Në 70% të rasteve, intuita e nënave për gjininë e fëmijës së tyre ishte e saktë. Në një studim të veçantë, studiuesit në Universitetin Johns Hopkins patën të dhëna të krahasueshme. "Fakti që dy laboratorë të ndryshëm patën efekte të ngjashme sugjeron se nuk është thjesht rastësi," thotë Shamas.
Po çfarë është intuita? "Unë e përkufizoj atë si diçka që ju e dini pa e ditur se si e dini," thotë Shamas. Intuita e vërtetë priret të vijë jo nga pesë shqisat tona, por nga një shqisë e gjashtë. Intuita nuk është thjesht një shpresë apo dëshirë se çfarë doni të keni, thotë Shamas, i cili zbuloi se gratë në studimin e tij që në fakt preferonin të kishin djalë ose vajzë, kishin më shumë gjasa të gabonin.