Anonim të lutem

Një vajzë shqiptare tregon se vuan nga pseudologia dhe kleptomania: Ç'duhet të dini për këto gjendje

Shkruar nga Anabel

25 Gusht 2022

Një vajzë shqiptare tregon se vuan nga pseudologia dhe kleptomania:

“Vuaj nga mythomania dhe pseudologia. Gjithashtu jam dhe kleptomane pa vetëdije. Më vjen turp nga vetja dhe njerëzit që më rrethojnë. Nuk e di çfarë të bëj.” – shkruar nga një vajzë anonime për Anabel.

Një vajzë shqiptare tregon se vuan nga pseudologia dhe kleptomania:

Mythomania dhe pseudologia (ose pseudologia fantastica) janë terma që përdoren për gënjeshtrat patologjike

Gënjeshtra i referohet një thënieje apo pohimi të rremë, për të mashtruar të tjerët me qëllim, shpesh për përfitim personale. Si fenomen është i zakonshëm dhe shumë i hasur. Por, kur bëhet fjalë për gënjeshtrën patologjike, është vënë re se nuk bëhet për një motiv të qartë. Zakonisht thuhet sepse një person do ta bëjë jetën më interesante, apo të krijojë një ide tjetër rreth personalitetit të tij.

Shkaqet e të gënjyerit në mënyrë patologjike ende nuk janë të qarta, sepse nuk janë kryer shumë kërkime në këtë fushë. Ende nuk dihet nëse është simptomë e një gjendjeje tjetër, apo një gjendje në vetvete. Gjithsesi, ka disa teori, të cilat sjellin këto shkaqe:

- Biologjike ose gjenetike
- Abuzimi apo neglizhenca në fëmijëri
- Vetëbesimi i ulët
- Prania e një çrregullimi të personalitetit
- Abuzimi me substanca të ndryshme
- Depresioni

Gënjeshtrat patologjike nisin si gënjeshtra të vogla. Gradualisht, ato bëhen më të detajuara dhe marrin nuanca dramatike, sidomos kur përdoren për të mbuluar një tjetër gënjeshtër. Tipari më dallues i një gënjeshtre patologjike është se ajo nuk ka një motiv.

Gënjeshtra patologjike mund të jetë një simptomë e mundshme e disa çrregullimeve të personalitetit. Duke qenë se gënjeshtra patologjike nuk është një gjendje e njohur, nuk ka trajtime formale për të. Nëse një mjek dyshon se një gjendje themelore po shkakton gënjeshtrën, ai mund të sugjerojë trajtim për atë gjendje. Për shembull, trajtimi për çrregullimet e personalitetit zakonisht përfshin psikoterapi ose mjekim.

Duke qenë se gënjeshtra patologjike mund të jetë e dëmshme për të tjerët, një mjek mund të sugjerojë terapi edhe për ata që janë afër individit. Një terapist do të punojë me ta për t'i ndihmuar të menaxhojnë përgjigjet e tyre ndaj problemit.

Kleptomania

Kleptomania është paaftësia e përsëritur për t'i rezistuar dëshirave për të vjedhur sende që në përgjithësi nuk ju duhen vërtet dhe që zakonisht kanë pak vlerë; është një çrregullim i rrallë, por serioz i shëndetit mendor që mund të shkaktojë shumë dhimbje emocionale për personin që po e kalon, si dhe për njerëzit përreth, përsa kohë nuk trajtohet.

Shkaku i kleptomanisë nuk dihet. Disa teori sugjerojnë se ndryshimet në tru mund të jenë në rrënjë të kleptomanisë. Nevojiten më shumë kërkime për të kuptuar më mirë këto shkaqe të mundshme.

Simptomat e kleptomanisë mund të përfshijnë:

- Pamundësia për t'i rezistuar nxitjeve të fuqishme për të vjedhur sende që nuk ju duhen
- Ndjenja e rritjes së tensionit apo ankthit, që çon në vjedhje
- Ndjenja e kënaqësisë, lehtësimit gjatë vjedhjes
- Ndjenja e tmerrshme faji, pendimi, urrejtje ndaj vetes, turp ose frikë pas vjedhjes
- Rikthimi i nxitjeve dhe një përsëritje e ciklit të kleptomanisë

Njerëzit me kleptomani zakonisht shfaqin këto karakteristika:

- Ndryshe nga hajdutët tipikë, ata vjedhin thjesht sepse dëshira është aq e fuqishme sa nuk mund t'i rezistojnë.
- Episodet e kleptomanisë në përgjithësi ndodhin spontanisht, zakonisht pa planifikim dhe pa ndihmë ose bashkëpunim nga një person tjetër.
- Shumica e njerëzve me kleptomani vjedhin në vende publike, si dyqane dhe supermarkete. Disa mund të vjedhin nga miqtë ose të njohurit, për shembull në një festë.
- Shpesh, sendet e vjedhura nuk kanë asnjë vlerë për personin dhe ai/ajo ka mundësi financiare për t'i blerë edhe vetë ato produkte.
- Sendet e vjedhura zakonisht ruhen dhe nuk përdoren kurrë.

Nëse nuk mund të ndaloni vjedhjet, kërkoni këshilla mjekësore. Shumë njerëz që mund të kenë kleptomani nuk duan të kërkojnë trajtim sepse kanë frikë se do të arrestohen ose burgosen. Sidoqoftë, një profesionist i shëndetit mendor nuk i raporton vjedhjet tek autoritetet.

Për informacion më të detajuar mbi këto gjendje të shëndetit mendor, klikoni:

1. Gjithçka duhet të dish për gënjeshtarët patologjikë

2. Kleptomania, dëshira e pakontrolluar për të vjedhur: Ç'duhet të dini?

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.