
Covidi i gjatë ka larguar miliona njerëz nga fuqia punëtore, thonë raportet e fundit.
Rreth 16 milionë amerikanë në moshë pune kanë Covid afatgjatë dhe 2-4 milionë janë pa punë për shkak të efekteve të tij të këqija, sipas një raporti të ri nga Instituti Brookings.
Covidi i gjatë, i përcaktuar nga ekspertët e shëndetësisë si simptoma të lidhura me Covidin që zgjasin tre ose më shumë muaj pas infektimit me virusin, ka rezultuar të jetë një gjendje e ndërlikuar. Për momentin, është e vështirë të gjurmosh dhe studiosh pasi simptomat mund të ndryshojnë nga individi në individ; mund të variojnë nga problemet gastrointestinale deri te lodhja dhe depresioni.
Vende të tjera kanë raportuar probleme të ngjashme me Covidin e gjatë që ndikon te punësimi. Në një fjalim në maj, një përfaqësues i Bankës së Anglisë ia atribuoi tkurrjen e fuqisë punëtore me 440,000 kryesisht "rritjes së sëmundjeve afatgjata".
Po në Shqipëri? Aktualisht nuk ka të dhëna në lidhje me ndikimin e Covidit të gjatë te punësimi, por nuk përjashtohet si faktor. Në një raport të tetorit të vitit të kaluar, u vlerësua asokohe se 20,000 persona ishin në fazën e Covidit të gjatë: dëmtime në formën e fibrozave në mushkëri, paaftësi fizike, çrregullime psikike, nervore, lodhje kronike, depresion etj.
Në 4-mujorin e parë të vitit 2021, shtrimet në pavijonet e spitalit psikiatrik u rritën me 68% në krahasim me 4-mujorin e parë të vitit 2020, sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë.
Covidi i gjatë është përshkruar si një “pandemi brenda pandemisë”, ku disa studime sugjerojnë se deri në 40% e të infektuarve me Covid-19 mund të kenë simptoma të vazhdueshme shumë kohë pas sëmundjes fillestare.
Simptomat më të zakonshme të Covidit të gjatë janë:
- lodhje
- gulçim
- dhimbje ose shtrëngim në gjoks
- probleme me kujtesën dhe përqendrimin ("mjegull truri")
- vështirësi në gjumë (insomnia)
- probleme me rrahjet e zemrës
- marramendje
Në një studim të fundit, u zbuluan edhe simptoma të tjera, si humbja e flokëve, mosfunksionimi erektil etj.
Këto të dhëna theksojnë se është e nevojshme të adresohet ndikimi i Covidit të gjatë te fuqia punëtore, gjë që duhet të pasohet me politika të reja, si për shembull më shumë pushime me pagesë dhe lehtësira të tjera për punonjësit.