
I ndjeri Michael Jackson mbetet i dashur nga miliona fansa anembanë globit – por jo nga kjo vajzë, e cila ka pohuar se vuan nga një rast i çuditshëm "fobie" ndaj këngëtarit.
Në një video virale në TikTok, ajo duket tejet e stresuar sepse në ambientin ku është ulur, po performon një imitues i Jackson.
"Nuk kaloi më shumë se gjysmë ore që dëgjova të luhet 'Thriller' dhe menjëherë filloi të më zërë paniku", u shpreh 18-vjeçarja Ruby Marriott.
Ajo tha se "e ka frikë Michael Jackson".
Në klipin shoqërues, të xhiruar nga motra e Marriott, Macey, 19 vjeç, ajo është në lot dhe duket e tmerruar, ndërkohë që pas saj performon "Michael Jackson".
Disa komentues në TikTok e ngushëlluan duke i thënë se edhe ata vuanin nga "Michaelphobia", siç përshkruhet nga Urban Dictionary.
“Nuk mund të shikoja televizor për ditë të tëra kur ai vdiq, sepse i shfaqnin videot e tij në mënyrë të përsëritur dhe kjo do të më krijonte makthe”, shkruante një tjetër.
Marriott thotë se frika e saj me siguri lidhet me fëmijërinë. Që kur ishte 5 vjeç, kushërinjtë i tregonin videoklipe dhe editime të frikshme të këngës Thriller.
Shakatë që bënte familja e saj vetëm e ushqenin fobinë.
Edhe pse situata duket e çuditshme, e gjithë historia tingëllon edhe qesharake dhe jo, Ruby nuk mërzitet nëse ju vjen të qeshni me historinë.
Burimi: NY Post