Bota

Vdekja e mbretëreshës, fundi i një epoke!

Shkruar nga Anabel

8 Shtator 2022

Vdekja e mbretëreshës, fundi i një epoke!
Getty Images

Pak më parë u shpall vdekja e mbretëreshës Elizabeth II, përmes një postimi nga llogaria e familjes mbretërore në Twitter.

Kjo shënon fundin e një epoke të rëndësishme për Mbretërinë e Bashkuar, pasi mbretëresha për plot 70 vite mbajti fronin, duke u bërë kështu monarkja e cila e ka mbajtur më gjatë këtë titull.

Në shtator të vitit 2015, Elizabeth tejkaloi rekordin e mbretëreshës Viktoria, e cila qëndroi në fron për 63 vite. Në nder të saj u festuan disa jubile: i argjendtë, i artë dhe platinium.

E lindur më 21 prill të vitit 1926, gjasat që Elizabeth II të gëzonte fronin mbretëror ishin pothuajse inekzistente, por ngjarjet u ngatërruan pasi xhaxhai i saj, mbreti Edward VIII abdikoi në vitin 1936, duke ia kaluar kurorën babait të Elizabeth, mbretit George VI.

Fëmijërinë, mbretëresha e kaloi mes dadove të pallatit, por e ëma e saj, e cila ishte një besimtare e devotshme e krishterë, pati një ndikim të jashtëzakonshëm në jetën e Elizabeth.

Për sa i përket edukimit, ajo nuk ndoqi instuticione arsimore, por mori mësime private mbi historinë e Britanisë, ligjet, muzikën dhe mësoi ta fliste rrjedhshëm frëngjishten që në moshë të vogël.

Një tjetër përfitim nga këto mësime ishte edhe shëtitja me kuaj, për të cilët gjithë jetës ushqeu një dashuri shumë speciale. (Por, kuajt nuk ishin të vetmet kafshë që mbretëresha admironte. Të mos harrojmë 30 qenushët e saj korgi, të cilët shëtisnin nëpër pallatin mbretëror).

Pas vdekjes së të atit, Elizabeth II mori fronin, saktësisht në vitin 1952 dhe mbretërimi i saj për 7 dekada nënkupton se Winston Churchill ishte i pari nga 14 kryeministrat që ajo dekretoi. Mbretëresha ka takuar gjithashtu 14 presidentë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe një sërë personalitetesh të famshme dhe me ndikim në botë.

Mbretëresha përjetoi një dashuri të bukur me princin Philip, duke qëndruar së bashku për 74 vite, derisa Philip u nda nga jeta në prill 2021. Çifti kishte katër fëmijë, Charles (i cili gëzon fronin), Anne, Andrew dhe Edward.

Elizabeth II njihej për angazhimet e saj zyrtare, të cilat ndiqeshin me interes të madh në të gjithë botën, apo për solemnitetin, privatësinë me të cilën dëshironte ta jetonte jetën (kritikët shpesh e kanë cilësuar si një grua të njohur nga miliarda njerëz publikisht, por privatisht, totalisht të panjohur), si dhe për kokëfortësinë e saj për të jetuar sipas rregullave të veta (edhe kur mjekët e paralajmëruan që të mos merrte pjesë nëpër aktivitete, mbretëresha sërish shëtiste me kuajt e saj).

Mbretërimi i Elizabeth II ka qenë i mbushur me një mori sfidash, pas zjarrit të madh në rezidencën e saj mbretëore në Windsor, vdekjes së princeshë Diana-s, e cila e lëkundi ndjeshëm prestigjin publik të familjes mbretërore, disa problematikave nga martesa e princ William dhe Kate Middleton, si dhe largimi nga përgjegjësitë dhe detyrat mbretërore i princ Harry dhe Meghan Markle, si dhe vdjekja e bashkëshortit të saj në prill të 2021-it.

Pas vdekjes së saj, ekspertët thonë se e ardhmja e monarkisë mund të përballet me të tjera vështirësi dhe se Charles mund të mos gëzojë popullaritetin e së ëmës.

Artikuj të sugjeruar: