Shakira e përshkroi ndarjen nga Gerard Piqué si “jashtëzakonisht të vështirë”, deklaratë që shënon herën e parë që ajo komenton për ndarjen e shumëpërfolur.
Këngëtarja e "Hips Don't Lie” shpjegoi në një intervistë për revistën Elle, ku ajo është në kopertinën e muajit tetor, se qëllimisht ka "qëndruar e qetë" që kur ndarja nga futbollisti u bë kryefjalë për herë të parë në fillim të qershorit.
“Është e vështirë të flasësh për këtë, veçanërisht sepse jam ende duke e kaluar dhe jam në sy të publikut, sepse ndarja jonë nuk është si një ndarje e zakonshme,” tha ajo. “Dhe kështu ka qenë e vështirë jo vetëm për mua, por edhe për fëmijët e mi. Tepër e vështirë,” shtoi Shakira, duke iu referuar djemve të saj dhe të Piqué, Milan, 9 vjeç dhe Sasha, 7 vjeç.
Shakira foli për karrierën dhe faktin qe vendosi të mbështeste ëndrrat e Piqué-së dhe jo të sajat. Ajo u shpreh se kur Milan dhe Sasha filluan shkollën, familja duhej të vendoste nëse do të transferohej në SHBA për karrierën e saj muzikore, apo do të qëndronte në Barcelonë, ku luan futbollisti.
“Njëri nga të dy duhej të bënte atë përpjekje dhe atë sakrificë. Dhe e bëra. E vendosa karrierën time në plan të dytë dhe erdha në Spanjë për ta mbështetur atë që të mund të luante [futboll] dhe të fitonte tituj. Dhe ishte një sakrificë dashurie,” tha ajo.
Shakira rrëfeu se ndjente që "duhej të mbështeste" ëndrrat e Piqué mbi të sajat.
“E dija që kur ai [Milan] filloi shkollën se duhej të vendosesha dhe të ngulja rrënjë në Barcelonë dhe të isha aty për të dhe për Gerard-in dhe më vonë edhe për Sasha-n.” – shtoi ajo.
Shakira tha se vendimi ndikoi për mirë te fëmijët pasi ata ishin në gjendje të kishin të pranishme nënën e tyre dhe krijoi një lidhje "të pathyeshme", por përfundimisht e prishi marrëdhënien e saj afatgjatë. Këngëtarja nuk pranoi të tregojë faktorë të tjerë për ndarjen.
“Pavarësisht se si përfunduan gjërat apo si ndihemi unë dhe Gerard për njëri-tjetrin si ish-partnerë, ai është babai i fëmijëve të mi,” vuri në dukje ajo. “Ne kemi punë për të bërë për këta dy djem të jashtëzakonshëm dhe kam besim se do të kuptojmë se çfarë është më e mira për të ardhmen e tyre, ëndrrat e tyre në jetë dhe cila është një zgjidhje e drejtë për të gjithë."
Ish-çifti njoftoi ndarjen e tyre në një deklaratë të përbashkët të publikuar në qershor. Ata filluan të dilnin në vitin 2010 pasi u takuan në xhirimet e videoklipit të Shakira-s "Waka Waka (This Time for Africa)".
- U puth me të dashurën publikisht: Shakira, e inatosur me Pique (por jo për arsyen që mendoni ju)
- Direkt pas ndarjes, kjo është (ndoshta) e dashura e re e Gerard Pique!
- Prokurorët në Spanjë kërkojnë 8 vjet burg për Shakirën
- Ndarja e Shakirës dhe Piqué: Arsyeja e vërtetë, sipas ish-kunatit të këngëtares