Shtatzania

Simptoma të hershme që tregojnë se jeni shtatzënë, edhe nëse testi del negativ

Shkruar nga Anabel

14 Tetor 2022

Simptoma të hershme që tregojnë se jeni shtatzënë, edhe

Pavarësisht përmirësimit të tyre, ndodh që testet e shtatzënisë të mos japin gjithmonë përgjigjen reale. Prandaj ka rëndësi të dini se ekzistojnë shenja që mund t’ju bëjnë të kuptoni se jeni shtatzënë.

Periodat: Edhe nëse testi rezulton jo pozitiv, vonesa e ciklit është një shenjë që tregon se mund të jesh në hapat e parë të shtatzënisë. Por kini parasysh se rreth 25% deri në 40% e grave shtatzëna do të kenë gjakderdhje të lehta ose do të vërejnë njolla në fillim të shtatzënisë. Gjakderdhja e lehtë mund të ndodhë kur veza e fekonduar ngjitet në mukozën e mitrës. Gjakderdhja gjithashtu mund të shkaktohet nga acarimi i qafës së mitrës, probleme me shtatzëninë ose rrezik i abortit.

Dhimbje muskujsh: Gjatë 3-mujorit të parë, gratë zakonisht kanë dhimbje muskujsh tek këmbët sepse trupi po pëson një ndryshim dhe muskujt bëhen më të dobët.

Gjinjtë e ndjeshëm: Një tjetër simptomë që gratë vënë re është se ndjeshmëria e gjoksit rritet. Gjinjtë rriten, thithat errësohen dhe herë pas herë dhembin.

Lodhje: Nëse jeni shtatzënë, hormonet kanë nisur të bëjnë punën e tyre dhe ju ndiheni të lodhura.

Sistemi tretës: Ndjesia e sikletit në stomak gjatë mëngjeseve të muajve të parë është një shenjë tjetër. Mund të ndiheni të fryrë, sikur keni gazra ose keni kapsllëk.

Neps: Grave u ndryshojnë preferencat gjatë shtatzënisë. Mos u habisni nëse papritur nuk doni ta shihni më me sy ushqimin tuaj të preferuar apo të keni neps për diçka që më parë nuk e konsumonit fare.

Luhatje humori dhe emocionale: Trupi i një gruaje në hapat e parë të shtatzënisë ndryshon shumë. Kjo ndikon padyshim edhe në luhatjet e humorit. Dëshira seksuale është e madhe, pastaj zhduket, pastaj rindizet sërish.

Urinimi: Gratë në fillim të shtatzënisë mund të urinojnë më shumë se çdo njeri tjetër.

Sekrecionet: Shumica e grave kanë sekrecione të bardha ose të verdha në tremujorin e parë dhe gjatë gjithë shtatzënisë. Rritja e hormoneve dhe qarkullimi i gjakut shkaktojnë sekrecionet.

Temperatura e trupit: Kur zgjoheni për herë të parë në mëngjes pas ovulacionit, temperatura e trupit është më e lartë. Qëndron kështu derisa t’ju vijnë periodat. Por nëse kjo temperaturë, e njohur si temperatura bazale e trupit, qëndron kështu për më shumë se dy javë, mund të jeni shtatzënë.

Dhimbje koke dhe doni të urinoni gjatë gjithë kohës: Ndryshimet hormonale dhe vëllimi i gjakut gjatë shtatzënisë mund të shkaktojnë probleme si dhimbje koke ose urinim të shpeshtë.

Ndjesi sikur dhoma rrotullohet: Shtatzënia bën që presioni i gjakut të ulet dhe enët e gjakut të zgjerohen.

Grip ose ftohje: Shtatzënia ul imunitetin që do të thotë që jeni më të prirur ndaj kollës, ftohjes dhe gripit.

Shije si metal: Rritja e estrogjenit dhe progesteronit gjatë shtatzënisë mund të çojë në ndryshime të shijes për shumë gra shtatzëna. Një gjendje e njohur si dysegusia bën që disa gra të ndiejnë shije metali kur konsumojnë ushqim.

Burimet: The Independent, Women’s Health