
Hej, tokësorë!
Kemi një super lajm për planetin: Vrima e ozonit në Polin e Jugut po zvogëlohet dhe deri tani është tkurrur me 700,000 milje.
NASA ka thënë se vrima arriti një sipërfaqe mesatare prej 8.9 milionë milje katrorë në periudhën kohore 7 shtator - 13 tetor.
Përmes vëzhgimeve satelitore u bë me dije se më 5 tetor, sipërfaqja arriti në 10.2 milionë milje katrorë, por ky ritëm ka rënë, duke ia lënë vendit zvogëlimit të vrimës së ozonit.
“Me kalimin e kohës, janë kryer zhvillime të qëndrueshme dhe vrima po zvogëlohet”, tha Paul Newman, shefi i departamentit të shkencave të Tokës, në NASA Goddard Space Flight Center.
Por, kontributin më të madh e ka dhënë Protokolli i Montrealit, një traktat i vendosur para 35 viteve. Ky traktat ndaloi emetimin e kimikateve CFC (klorofluorokarbone), të dëmshme për shtresën e ozonit.
Ndërkohë, shtresa e ozonit parandalon depërtimin e rrezeve të dëmshme ultravjollcë në planet.