Kur e telefonuan për ta pyetur nëse do të kishte dëshirë të prezantonte “Këngën Magjike”, Olta Beqiri bëri telefonin mute dhe u hodh nga gëzimi. Aktorja e serialit “$NOB” tregon për Anabel për eksperiencën e saj në moderimin e festivalit.
“Për mua ka qenë një nga dhuratat më të bukura që mund të kem marrë ndonjëherë, sepse e kam pasur ëndërr dikur që ta prezantoja ‘Këngën Magjike’ dhe m’u bë realitet shumë më shpejt nga çfarë e kisha menduar,” tha ajo.
E pyetur në lidhje me vështirësitë e një përvoje të tillë, të re për të, ajo u përgjigj: “Të them të drejtën nuk ka pasur shumë vështirësi, plus dhe Arditi na ka lënë që të qëndrojmë në natyralitetin tonë. Gjëja më e vështirë që kam pasur në prova dhe në netët live ka qenë zbritja e shkallëve me fustanet e gjata dhe taka [qesh].”
Mirëpo përballja me publikun live padyshim që u shoqërua me pak ankth.
“Duke qenë se kishim bërë shumë prova, mendoja se edhe dalja e parë në skenë do të ishte si në prova. Por, në minutat para se të dilja në skenë, kam qenë duke u dridhur. Harrova çdo gjë, m’u fshi totalisht gjithçka. Por në momentin që dola në skenë, më ndihmuan shumë edhe njerëzit. Më ndihmoi publiku shumë që të ndihesha rehat. Mikpritja e tyre më bëri të ndihesha shumë komode.”
View this post on Instagram
Si çdo spektakël live, ndikuar padyshim edhe nga emocionet e një skene si “Kënga Magjike”, pati edhe një moment të sikletshëm.
“Po, ka qenë një moment shumë i sikletshëm. Unë kam një problem që nuk lexoj te promteri [pajisje që ndihmon prezantuesit me një tekst elektronik vizual] dhe çdo gjë që them më duhet ta mbaj mend sepse promteri më ngatërron. E në një moment harrova të thoja një nga kanalet ku jepet ‘Kënga Magjike’. Më korrigjoi Arditi dhe u ndjeva shumë në siklet që e harrova.”
“Kënga Magjike” është eksperienca e parë e Oltës si prezantuese, një eksperiencë të cilën ajo është e gatshme ta ripërjetoj.
“Personalisht këto netë më kanë kaluar si dhjetë minuta. E kam shijuar aq shumë dhe më është dukur që ka ikur aq shpejt, saqë absolutisht do të doja ta përsërisja si eksperiencë. Është një lloj energjie që nuk e merr dot në asnjë vend tjetër. Energjia që të jep publiku live është e pabesueshme, të jep një lloj sigurie, një lloj vetëbesimi që nuk e merr dot asnjë tjetër, për mua personalisht.”
View this post on Instagram
E njohur dikur për videot e saj në TikTok, Olta u bë e famshme përmes serialit "$NOB”, ku luante rolin e Kristelës, një vajze të pasur të cilën familja e la në baltë ia preu ëndrrën në mes. Personazhi i saj ka qenë një ndër më të spikaturit e sezonit të parë të “$NOB”, ku Kristela ishte sa antagoniste aq edhe krejt e kundërta.