E dashura e Cristiano Ronaldos, Georgina Rodriguez, fajësoi sërish trajnerin e Portugalisë, Fernando Santos, për faktin që vendosi në stol Cristiano Ronaldo-n në pjesën e parë të ndeshjes së tyre çerekfinale kundër Marokut, ku Portugalia u eleminua me rezultatin 1-0.
“Sot shoku dhe trajneri yt mori vendimin e gabuar,” shkroi ajo në Instagram Story. “Ai miku për të cilin ke kaq shumë fjalë admirimi dhe respekti. I njëjti që kur të futi në fushë, pa se si gjithçka ndryshoi, por ishte tepër vonë.”
Georgina vuri në dukje se trajneri nuk duhet të nënvlerësonte “lojtarin më të mirë në botë, arma e tij më e fuqishme”.
“Jeta na jep mësime. Sot nuk humbën, sot mësuam. Të admirojmë,” përfundon ajo.
Duhet thënë se Georgina nuk është e vetmja që mendon se mungesa e Cristiano Ronaldo-s në pjesën e parë ndikoi te humbja e Portugalisë. Në internet, njerëzit shkruajnë se figura e Cristiano-s i jep skuadrës siguri në lojë dhe mungesa e tij padyshim që ndikoi dhe i dha epërsi Marokut, që u bë skuadra e parë afrikane që arrin në gjysmëfinalet e Kupës së Botës.
Pas humbjes, futbollisti, i cilësuar si një nga më të mirë e të gjitha kohërave, u pa i përlotur. Me gjasë, kjo ishte paraqitja e tij e fundit në Kupën e Botës.