
Kërcimi më viral i momentit është zyrtarisht ai i Wednesday Addams. Skena e shkurtër prej nga është marrë kërcimi zë më pak se 3 minuta nga i gjithë seriali, por aq mjaftoi që kënga + koreografia aq spontane, të ktheheshin në një hit.
Çfarë e bën kaq magjik këtë moment?
Kërcimi i Wednesday është në një farë mënyrë, një biletë me të cilën të gjithë mund të ndihemi të çuditshëm, pa u ndjerë keq për këtë. Kënga dhe lëvizjet na japin leje të jemi të çuditshëm, origjinalë, të lirë, pa e vrarë shumë mendjen se çfarë po ndodh përreth.
Për më tepër, vetë personazhi na përcjell familjaritet, pasi Wednesday Addams ka ekzistuar që nga fundi i viteve 1930 – fillimisht si një personazh komik pa emër, më pas si një fëmijë i vogël në një sitcom televiziv, luajtur nga Christina Ricci, dhe tani si një adoleshente çapkëne luajtur nga Jenna Ortega.
Sigurisht, pjesë e gjithë influencës është edhe TikTok. Sa më shpesh që ju të shihni diçka, aq më shumë rriten gjasat që ju ta pëlqeni dhe të fiksoheni pas saj. Dhe kërcimin e Wednesday e kemi parë deri tani me qindra herë! Nuk po ankohemi për këtë.