Djali dhe vajza e legjendës braziliane të futbollit, Pelé, kanë postuar në Instagram homazhe dhe foto prekëse të babait të tyre teksa po kalojnë Krishtlindjen pranë tij në spitalin Albert Einstein Jewish Hospital në Sao Paulo.
“Ne vazhdojmë të jemi këtu, duke luftuar dhe duke besuar. Edhe një natë bashkë," shkroi Kely Nascimento të premten. Ajo postoi një foto ku shfaqet duke përqafuar të atin teksa ai qëndron i shtrirë në një shtrat spitali.
Pelé, 82 vjeç, u shtrua në spital në fund të nëntorit për një infeksion të frymëmarrjes dhe "rivlerësim të trajtimit të kimioterapisë mbi kancerin e zorrës së trashë të identifikuar në shtator 2021,” sipas deklaratës së spitalit.
I lindur me emrin Edson Arantes do Nascimento dhe i konsideruar gjerësisht si një nga futbollistët më të mëdhenj në histori, Pelé luajti në katër Kupa Botërore, duke fituar tre - në 1958, 1962, 1970.