Celebrity

Princ Harry thotë se një grua ‘me fuqi’ i transmetoi një mesazh nga Diana

Shkruar nga Anabel

6 Janar 2023

Princ Harry thotë se një grua ‘me fuqi’ i transmetoi

Në autobiografinë e tij të shumëpritur, “Spare”, Princ Harry përshkruan se si trishtimi për vdekjen e nënës së tij, Diana-s, Princeshës së Uellsit, e bëri atë të kërkonte ndihmë nga një grua që "pohoi se kishte 'fuqi'" dhe se ishte në gjendje të transmetonte një mesazh nga e ndjera.

"Ti po jeton jetën që ajo nuk mundi," shkruan Harry në libër, një kopje e të cilit u sigurua nga Guardian. "Ti po jeton jetën që ajo donte për ty."

Harry shkruan për nënën dhe pikëllimin e tij gjatë gjithë librit dhe në një moment përshkruan udhëtimet e përsëritura në tunelin në Paris në të cilin ajo vdiq, për të kuptuar se çfarë ndodhi.

Ai flet shkurtimisht për takimin me gruan që kishte “fuqi”. Ai nuk saktëson ku dhe kur ndodhi takimi dhe nuk e përmend emrin e saj.

"Në momentin kur u ulëm së bashku," shkruan ai, "ndjeva një energji rreth saj." Princi thotë se gruaja i tha se ndjente një energji rreth tij dhe tha: "Nëna jote është me ty". Harry u përgjigj: “E di. Këtë e kam ndjerë kohët e fundit.”

Gruaja, shkruan ai, i tha se nëna e tij ishte me të "për momentin". Harry thotë se qafa iu ngroh dhe sytë iu mbushën me lot.

Gruaja i tha Harry-t se mamaja e tij e dinte se ai ishte "duke kërkuar qartësi" dhe "ndjen konfuzionin tuaj" dhe e dinte se ai kishte "shumë pyetje" dhe tha se përgjigjet do të vinin me kohë.

Princi thotë gjithashtu se gruaja i tha që Diana tha: "Ti po jeton jetën që ajo nuk mundi. Ti po jeton jetën që ajo donte për ty.”

Harry donte ta besonte gruan, por kishte nevojë për “prova”. Një provë përfshinte një histori për një stoli dhe një pretendim se nëna e tij e dinte për të sepse "ajo ishte atje". Më herët në libër, Harry tregon se si një stoli e pemës së Krishtlindjes në formën e gjyshes së tij, Mbretëreshës Elizabeth II, u thye aksidentalisht nga djali i tij, Archie.

Gruaja, shkruan ai, përsëriti se nëna e tij ishte atje kur ndodhi ngjarja, duke thënë: “Nëna juaj thotë… diçka për një stoli Krishtlindjesh? E një nëne? Apo një gjyshe? Ka rënë? U thye?”

Diana ndërroi jetë si pasojë e një aksidenti automobilistik në Paris në vitin 1997, kur Harry ishte 12 vjeç. Tani 38 vjeç, Harry do të publikojë “Spare” javën e ardhshme.

Titulli i librit vjen nga një thënie e vjetër në qarqet mbretërore: se djali i parë është trashëgimtar i titujve, pushtetit dhe pasurisë, dhe i dyti, pra, është një rezervë (spare), nëse diçka i ndodh të parit.

Pakënaqësia e Harry-t ndaj faktit që është gjithmonë i dyti është tema unifikuese e librit, përmes kapitujve mbi fëmijërinë, shkollimin, karrierën si mbretëror dhe në ushtrinë britanike, marrëdhëniet e tij me prindërit, vëllain dhe jetën e tij me Meghan.