
Në podkastin e fundit të “Armchair Expert” nga Dax Shepard, aktorja 37-vjeçare Anna Kendrick, ka ndarë me të gjithë mënyrën se si e zbuloi tradhtinë e ish-partnerit të saj.
Si shumica, edhe Anna e zbuloi përmes shkëmbimit të mesazheve dhe theksoi se prej disa kohësh e dyshonte një tradhti të mundshme. “Oh, kisha të drejtë për gjithçka. Në fakt, ishte më keq nga ç’e kisha imagjinuar”, tha Anna.
Por, ajo shtoi se ish-i e mohoi kategorikisht tradhtinë dhe për më tepër, tha se nuk kishte asnjë interes për të krijuar një lidhje me gruan tjetër.
“Ai po më bërtiste. Është thjesht një pëlqim që do kalojë. Je kaq e pasigurt! Unë s’mendova të lidhesha me këtë grua, madje i thashë dhe mikut tim të ngushtë që nuk e shoh veten të lidhur me këtë grua”, ishin fjalët e ish-partnerit.
Ajo tha se e telefonoi “gruan tjetër” për të ditur të vërtetën. “Folëm për rreth 1 orë në telefon dhe ajo më thoshte se ishte e turpëruar dhe se i vinte keq”, kujtoi Anna. “Më vjen shumë keq, ndihem tmerrësisht keq dhe po, ka ndodhur”, i konfirmoi "gruaja tjetër".
Sot, Anna ndihet mirënjohëse që i ka gjetur ato mesazhe që tregonin qartazi tradhtinë, por kjo nuk do të thotë se rrugëtimi ishte i lehtë.
“Ende kishte pjesë të miat që thoshin se nuk e di për çfarë po flet, trupi im ende s’e besonte edhe pse kisha parë provat. Nuk kam ngrënë për një javë. Nuk flija, nuk haja dot. Bëra bisedën me atë gruan dhe mendova se më duhej një pjatë me nachos”, tha aktorja.
Më pas, shtoi:
“Ti mund të ndiesh dhimbjen, mund të hash nachos, të pish një gotë verë. Ndihesha sikur trupi im po merrte gjërat për të cilat kisha nevojë. Më në fund, ndaloi gjendja e panikut total e cila më kishte përshkuar prej një viti”, u shpreh Anna, duke treguar edhe ndjesitë që i solli kjo përvojë.