Që pas tërmetit të nëntorit (2019), i cili tronditi gjithë vendin tonë, shkaktoi viktima dhe dëme të shumta, të gjithë ne i jemi trembur një tragjedie të tillë natyrore.
Mbrëmë, kur ra një tjetër tërmet, fatmirësisht, jo aq i frikshëm, i tejzgjatur dhe ç’është më e rëndësishmja, pa humbje jete dhe dëme, shumica prej nesh u frikësuam dhe patëm episode ankthi. Dikush ngeli pa gjumë, dikush tjetër fjeti me mendimin se mos ndoshta ishte paragoditje, etj.
Në fakt, të gjitha këto mendime dhe ndjesi janë mëse të kuptueshme, sidomos kur kemi përjetuar një ngjarje tragjike. Sipas studimeve, shumë njerëz mund të kenë edhe PTSD (çrregullimi i stresit post-traumatik) nga përvoja të tilla, duke nisur që nga ankthi e duke vijuar në një frikë madhore, e cila në shumë raste mund të kthehet edhe në fobi.
Kur ankthi është rezultat i drejtpërdrejtë i një përvoje të tillë traumatike, shpesh mund të shkaktojë hiper-vigjilencë, izolim social, apo rikthimin e frikës së madhe që është ndjerë në periudhën e nëntorit të 2019-ës.
Psikologia dhe profesiorja e universitetit “Bradley” Peoria, Illinois, Molly Ansari, nënvizon se njerëzit që nuk kanë marrë ndihmën ose trajtimin e duhur pas një episodi të tillë si përvoja e një tërmeti, mund të preken më shumë nga PTSD dhe të përjetojnë shumë ankth dhe kujtime të këqija nga situata e mëparshme.
Tërmetet, pa diskutim, hyjnë në kategorinë e ngjarjeve traumatike dhe kërkimet e konfirmojnë se ato mund të shkaktojnë episode ankthi apo mund të jenë faktorë që krijojnë PTSD. Sipas një studimi për tërmetin Aceh, të ndodhur në Indonezi, në vitin 2016, u vu re një rritje e madhe e simptomave që lidheshin me PTSD, depresion dhe ankth.
Sigurisht, nuk është e thjeshtë të parashikohet se si ankthi i shkaktuar nga tërmeti ndikon në individë të ndryshëm, gjithsesi, duhet ta kuptoni që është mëse normale dhe nëse vëreni se keni shenja të tilla si:
Shqetësim të pakontrollueshëm
Rikujtoni shpesh episode nga tërmeti
Mendime se në të ardhmen mund të ndodhë një tjetër tërmet edhe më i fortë
Vështirësi në të fjetur
Mendoni se po tundet toka edhe kur nuk po ndodh
Nuk duhet të mendoni se është diçka e pashërueshme, apo që thjesht nuk dini si ta tejkaloni. Ndihma e specializuar do të ishte një ide shumë e mirë, ndaj mos hezitoni ta merrni.