Bota

Mbajti dorën e vajzës së ndjerë nën rrënoja: Babai tregon makthin e tërmetit

Shkruar nga Anabel

11 Shkurt 2023

 

Mbajti dorën e vajzës së ndjerë nën rrënoja: Babai
AFP

Pak ditë më parë, kudo në rrjet qarkulloi fotoja e një burri që mbante dorën e një vajze nën rrënoja, duke prekur zemrat e mbarë botës. Babai në foto quhet Mesut Hançer, është 49 vjeç dhe fatkeqësisht, ka treguar se e bija, Irmak, 15 vjeç nuk ia doli t’i mbijetojë tërmetit të tmerrshëm që goditi Turqinë dhe Sirinë të hënën, duke shkaktuar deri tani 23,000+ viktima.

Mesut tregoi makthin e përjetuar duke u shprehur se ka gërmuar me duart e tij për të shpëtuar të bijën 15-vjeçare, por ajo nuk arriti të mbijetonte. Por edhe pse e bija kishte ndërruar jetë, Mesut refuzonte t’ia lëshonte dorën dhe të shkëputej prej saj.

Në intervistën e dhënë mbi varrin e së bijës, babai tregoi se ishte duke punuar në furrë buke kur ndodhi tërmeti. Ai tha se gruaja dhe fëmijët e tjerë ishin të sigurt dhe shëndoshë e mirë, ndërsa 15-vjeçarja kishte shkuar te shtëpia e gjyshes, pasi kishin ardhur të afërm dhe ajo donte të ishte me ta.

Mbajti dorën e vajzës së ndjerë nën rrënoja: Babai
Bild

“Po punoja në furrë buke kur u drodh toka. Telefonova gruan dhe ajo më tha se dy vajzat dhe djali ishin të sigurt, ndërsa vajza e vogël nuk fjeti në shtëpi atë natë, por në divanin e shtëpisë së gjyshes”, tha 49-vjeçari.
 
“E mora në telefon dhe nuk përgjigjej”, shtoi ai dhe tregoi se shkoi menjëherë drejt rrënojave, ku iu lut Zotit që familja dhe shtëpia e tij të ishte e plotë dhe të mos kishte të lënduar.

Irmak ndërroi jetë të hënën, pasi një bllok masiv ra sipër saj. Sipas zërave, 15-vjeçarja qëndroi për disa ditë nën rrënoja dhe më pas, autoritetet arritën të nxirrnin trupin e saj, për ta dorëzuar te familja.
 
Mbi momentin prekës ka folur edhe fotografi i “AFP”, Adem Altan, i cili shkrepi foton dhe më pas, ajo bëri xhiron e rrjetit. “Ndërkohë që bëja foton, ishte kaq e trishtueshme. Vazhdoja t’i përsërisja vetes: “Çfarë dhimbjeje e papërballueshme”. Nuk ndaloja dot së qari”, tha fotografi.
 
“Isha pa fjalë”, vijoi ai dhe më pas tregoi se e pyeti të atin për emrin e tij dhe atë të vajzës së ndjerë.
 
Përmes kësaj fotoje, u transmetua e gjithë dhimbja e tërmetit fatal dhe e njerëzve që po vuajnë pasojat e tij. Situata në Turqi dhe Siri mbetet ende kaotike dhe priten edhe më shumë viktima dhe të lënduar. Deri më tani, në Turqi po merren masa të shumta për të nxjerrë nga rrënojat të lënduarit, ndërsa në Siri gjendja është e rëndë, pasi veri-perëndimi i vendit është nën pushtimin e rebelëve.

Artikuj të sugjeruar: