
Një adoleshent në Kinë është bërë pacienti më i ri në planet që ka marrë një diagnozë të mundshme të sëmundjes Alzheimer.
Mjekët dhe studiuesit e shfrytëzuan mundësinë për të studiuar rastin dhe kanë publikuar punimin e tyre në një botim të fundit të Journal of Alzheimer's Disease.
"Studimi propozoi t'i kushtohej vëmendje sëmundjes së hershme të Alzheimerit," thanë mjekët nga Universiteti Mjekësor Capital në Pekin, sipas një deklarate nga South China Morning Post.
Ekipi që qëndron pas studimit tha se djali nuk ka histori familjare të sëmundjes ose ndonjë shkak tjetër të njohur të dëmtimit të kujtesës. Kjo e bën rastin e tij edhe më të rrallë.
Adoleshenti, që mendohet se është nga Pekini, ka vuajtur nga simptomat e sëmundjes së Alzheimerit që në moshën 17-vjeçare.
Ai ka përjetuar humbje të kujtesës, vështirësi në përqendrim, reagime të vonuara dhe vështirësi për të lexuar.
Për shkak të sëmundjes, 19-vjeçari është detyruar të lërë dhe vitin e fundit të shkollës.
Autorët e studimit u shprehën:
"Ky është rasti më i ri i raportuar ndonjëherë që plotëson kriteret diagnostike për sëmundjen e Alzheimerit, pa mutacione gjenetike të njohura."
Alzheimeri është një sëmundje neurodegjenerative që zakonisht fillon ngadalë dhe në mënyrë progresive përkeqësohet me kalimin e kohës.
Zakonisht paraqitet në fillim si humbje e kujtesës ose mjegull e trurit, por çon deri në dëmtime të sistemit nervor dhe komunikimit të trurit me trupin.
Sëmundja e Alzheimerit është forma më e zakonshme e demencës dhe njerëzit me këtë sëmundje kanë një jetëgjatësi të shkurtër, edhe pse kjo e fundit mund të ndryshojë nga personi në përson, sipas Neë Englan Journal of Medicine.
Burimi: LadBible