Celebrity

Intervista tronditëse: Paris Hilton tregon për përdhunimin dhe abortin, të ndodhura vite më parë

Shkruar nga Anabel

24 Shkurt 2023

Intervista tronditëse: Paris Hilton tregon për përdhunimin dhe
Glamour/ Jeremy Choh

Paris Hilton ka ndarë sërish detaje nga fëmijëria e saj traumatike. Në kopertinën e “Glamour”, Hilton u shpreh se ishte përdhunuar në moshën 15-vjeçare, nga një djalë më i madh në moshë.

42-vjeçarja tregoi se abuzuesin e takoi në një qendër tregtare në Kaliforni dhe ai i hodhi diçka në pije, për të përfituar nga situata. Asokohe, Paris jetonte me gjyshen e saj në Palm Springs dhe shpesh vizitonte qendrat tregtare. 

Ajo nënvizoi se “Djemtë më të mëdhenj në moshë gjithnjë dilnin pranë dyqaneve” dhe një ditë, një grup me djem të rritur, i ftuan Paris dhe shoqet e saj te shtëpia e tyre. Hilton theksoi se nuk pinte asokohe, por djemtë këmbëngulën që ajo ta konsumonte pijen e servirur.

“Kur piva 1 ose 2 gllënjka, menjëherë po ndieja marramendje. Nuk e di çfarë më hodhi në pije, mendoj se ishte Rohypnol*. U zgjova në mëngjes dhe e dija që diçka e keqe kishte nodhur. E mbaja mend. Kisha vizione të tij sipër meje, duke më mbyllur gojën, duke më pëshpëritur në vesh ‘po ëndërron’, rrëfeu 42-vjeçarja.

Rohypnol* është ilaç, i cili nuk është miratuar për përdorim mjekësor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky medikament vjen nga e njëjta familje ilaçesh si valiumi apo xanaxi. Rohypnol njihet gjerësisht si një përzierje që përdoret nga abuzuesit, për të përdhunuar vajzat ose djem, të cilët konsumojnë këtë ilaç.

Paris Hilton, e cila sapo është bërë nënë e bebushit Phoenix, ka folur edhe për abortin që ka kryer kur ishte 20 vjeç. “Isha një fëmijë”, tha ajo, duke theksuar se në atë periudhë, i vinte shumë turp të tregonte këtë ngjarje.

Hilton ka pasur një fëmijëri shumë të vështirë, që nga eksperiencat e mësipërme, e deri te rrëfimi se ishte abuzuar seksualisht nga anëtarë të stafit të shkollës “Provo Canyon”, duke thënë se ata bënin “ekzaminime" me trupat e vajzave, veçanërisht me organet gjenitale.

“Shumë vonë natën, domethënë rreth orës 3 ose 4 të mëngjesit, ata më merrnin mua dhe vajzat e tjera në dhomë dhe kryenin ‘ekzaminime mjekësore’, ka thënë Hilton.  

Ajo shtoi se këto “ekzaminime” nuk kryheshin nga mjekë, por nga anëtarë të ndryshëm të stafit, të cilët i detyronin vajzat të shtriheshin mbi tryezë dhe i penetronin me gishta.

 “Nuk e di se çfarë bënin, por përfundimisht, nuk ishin mjekë. Ishte vërtet e frikshme dhe është diçka që e kisha bllokuar prej vitesh, por tani, po kthehet gjatë gjithë kohës dhe unë mendoj për të. (Sot), duke e parë si një e rritur, ishte padyshim abuzim seksual”, shtoi ajo.

Paris tha se studentëve u jepeshin ilaçe me forcë, ndëshkoheshin dhe ndonjëherë mbaheshin të izoluar për 20 orë në ditë.

Tre miq të vjetër të Paris, me të cilët kishte ndjekur studimet në këtë shkollë, aprovuan rrëfimet e saj për abuzim.

Traumat e kësaj përvoje konsistojnë me një periudhë të errët në jetën e saj, pasi pranoi se kishte sulme paniku dhe qante çdo ditë. “Isha e mjerë. Ndihesha e burgosur dhe e urreja jetën”, shtoi ajo.

Më pas, kur Hilton u largua nga shkolla në moshën 18-vjeçare, nuk pranoi të fliste për këtë eksperiencë, deri në vitet e fundit. “Isha shumë mirënjohëse që isha jashtë, madje as nuk doja ta përmendja përsëri", u shpreh ajo.

Artikuj të sugjeruar: