Marredhenie

Si duhet të veprosh kur nuk je dakord me lidhjen e vajzës/djalit tënd?

Shkruar nga Anabel

27 Shkurt 2023

Si duhet të veprosh kur nuk je dakord me lidhjen e vajzës/djalit

Në disa raste, për arsye të ndryshme, një prind nuk bie dakord me zgjedhjen e partnerit/es me të cilin/ën vajza/djali ka vendosur të lidhet/fejohet/martohet.

Të tilla çështje i hasim shpesh dhe rishtazi, edhe publikisht (Sabiani, i cili nuk aprovon lidhjen e Keisit me Kristi Aliajn, shpërtheu ndaj tij dhe i bëri unfollow vajzës), ndaj na duket me vend të japim disa këshilla:
 
Kupto që është jeta e tij/saj dhe jo e jotja

Jemi mëse dakord që ti të japësh mendimin tënd, të duash më të mirën për fëmijën dhe të mendosh se askush nuk është i/e mirë për të, ama, kupto edhe limitet e tua. Fakti që e ke sjellë në jetë, nuk domethënë që të vendosësh se me kë do të ndajë jetën.
 
Thuaja mendimin me respekt

Nëse nuk të pëlqen diçka (ose shumë gjëra) te partneri/ja i/e vajzës/djalit, atëherë thuaja, pa qasje pasivo-agresive, pa kunja dhe pa e fyer personin tjetër. Drejtohu me respekt dhe saktëso që është mendimi yt!
 
Shmang ultimatumet

Ultimatumet janë kërkesa që duhen shmangur në shumë marrëdhënie, veçanërisht në një temë kaq delikate. Nuk mund ta vendosësh dikë në një presion të tillë zgjedhjeje duke i shtruar pyetjen “Unë ose ai/ajo”, pasi:

Ekziston mundësia që të zgjedhë atë;
Do të kriset marrëdhënia juaj;
Fëmija do ta ketë peng për një kohë shumë të gjatë;
Do të zgjosh trauma.
 
Thuaje pakënaqësinë tënde vetëm një herë!

Kaq mjafton që ta bësh të qartë mendimin dhe qëndrimin tënd. Një herë dhe kurrë më!
 
Kupto kur duhet të heqësh dorë nga ky diskutim

Siç e thamë edhe më sipër, ata janë të rritur dhe nëse ti vijon dhe i mëshon të njëjtës tematikë, nuk do të ketë një përfundim të mirë. Mundohu të kesh marrëdhënie korrekte me personin tjetër dhe të jesh gjithnjë i/e ngrohtë me vajzën dhe djalin tënd.

Artikuj të sugjeruar: