Celebrity

Princi Harry thotë se ndihet shumë i lidhur me të ëmën, falë përvojave në pallatin mbretëror

Shkruar nga Anabel

7 Mars 2023

Princi Harry thotë se ndihet shumë i lidhur me të ëmën,
Getty Images

Princi Harry ndihet më i lidhur se kurrë me princeshën Diana jo thjesht sepse e ka nënë, por sepse sipas tij, janë “delet e zeza” të familjes mbretërore.

Harry foli për disa nga traumat e tij, duke përfshirë edhe se si e kupton përvojën e princeshë Diana-s në monarkinë moderne.

Ai u shpreh: “Në një periudhë të jetës sime, në vitet e rinisë, ndihesha paksa ndryshe nga pjesa tjetër e familjes. Ishte e çuditshme të ishe në këtë gjendje dhe e di që edhe mami ndihej po njësoj. Tani, ka kuptim për mua (pasi) më parë, nuk e kuptoja. Ndihesha sikur trupi im ishte atje, por koka jo, por ndonjëherë edhe e anasjellta”. *E dimë ç’po mendon: Koooka në Stamboll e truuupi në Jaaaaninë!*
 
Harry shtoi edhe se shtirej dhe në atë periudhë nuk ishte vetvetja autentike.

Njëjtë si e ëma, edhe Harry e sheh shërbimin publik si prioritetin kryesor në jetë dhe tha se në njëfarë mënyre, ndaj publikoi edhe “Spare”, librin e tij me kujtime pa filtra, nga jeta në pallat, sjelljet e familjarëve dhe anëtarëve të pallatit, si dhe vendimin për t’u larguar nga mbretëria.
 
“Që kur u kërkova njerëzve që të më ndihmonin të shkruaja këtë libër, thashë: ‘Dua që ky të jetë një akt shërbimi, duhet të jetë!’ Është e rëndësishme që t’i lejoni njerëzit të flasin për gjërat e tyre dhe të jenë vetvetja”, shtoi ai.

Por, gjithsesi, jemi kuriozë ta dimë se cila do të jetë veshja e hakmarrjes së Harry-t, se Diana dukej një yll me fustanin e zi.  

Artikuj të sugjeruar: