Shkencëtarët kanë krijuar minj me dy baballarë biologjikë duke gjeneruar vezë nga qelizat mashkullore. Ky zhvillim i ri mund të hapë rrugën për trajtimet për format e rënda të infertilitetit, si dhe të rrisë perspektivën që çiftet e të njëjtit seks të jenë në gjendje të kenë një fëmijë biologjik së bashku në të ardhmen.
"Ky është rasti i parë i krijimit të ovociteve të gjitarëve nga qelizat mashkullore," tha Katsuhiko Hayashi, i cili udhëhoqi punën në Universitetin Kyushu në Japoni dhe është i njohur ndërkombëtarisht si pionier në fushën e vezëve dhe spermës së zhvilluar në laborator.
Hayashi parashikon se do të jetë teknikisht e mundur të krijohet një vezë e qëndrueshme njerëzore nga një qelizë mashkullore brenda një dekade. Më parë, shkencëtarët kanë krijuar minj që teknikisht kishin dy baballarë biologjikë përmesshumë hapash, duke përfshirë inxhinierinë gjenetike. Megjithatë, kjo është hera e parë që vezët e qëndrueshme janë krijuar nga qelizat mashkullore dhe shënon një përparim të rëndësishëm.
"Thjesht në aspektin teknologjik, do të jetë e mundur [te njerëzit] në 10 vjet," tha ai, duke shtuar se personalisht do të ishte në favor që teknologjia të përdoret klinikisht për të lejuar dy burra të kenë një fëmijë, nëse do të vërtetohej që ishte procedurë e sigurt.
Teknika mund të aplikohet gjithashtu për trajtimin e formave të rënda të infertilitetit, duke përfshirë gratë me sindromën Turner, në të cilat një kopje e kromozomit X mungon ose mungon pjesërisht, dhe Hayashi tha se kjo ishte arsyeja kryesore për hulumtimin.
Minjtë e vegjël janë të shëndetshëm, kanë jetëgjatësi normale dhe u riprodhuan. Ai dhe kolegët tani po përpiqen të përsërisin krijimin e vezëve të rritura në laborator duke përdorur qeliza njerëzore.