Dje Olta surprizoi jo pak publikun kur vendosi me vullnet të plotë të linte shtëpinë e “BBVA”, por sipas nesh, Olta e ka fituar “Big Brother-in” e saj dhe këto 10 arsye e tregojnë qartë:
Shumë shpejt u pozicionua si një konkurrente e fortë
Olta arriti të fitonte menjëherë vëmendje dhe të cilësohej si një konkurrente goxha e fortë brenda shtëpisë. Gjatë gjithë rrugëtimit të saj, ajo arriti të menaxhojë lojën, si dhe t’u bëjë ballë nominimeve të forta.
Pësoi një zhvillim fantastik
Nga të gjithë personazhet, Olta pësoi një super evolcuion. Nëse më parë u cilësua si “antipatike” dhe “arrogante”, ajo ndryshoi strategji dhe publiku e vuri re dhe e vlerësoi.
Në situata kritike, ishte ndihmë e madhe
Po marrim një rast: Olta, pavarësisht rivalitetit me Luizin, i qëndroi pranë atij në ditët që vuante nga dhimbja e kokës. Në shumë situata të tjera, ish-konkurrentja ka treguar se di ta ndajë lojën nga ngjarjet e rëndësishme dhe të tregojë anën e saj njerëzore.
U përball me çdo situatë
Që nga ofendimet e deri tek intrigat, Olta u përball me çdo situatë. Ndoshta, jo në mënyrën më të mirë të mundshme, ama ajo kaloi jo pak ngjarje, momente, goditje dhe fyerje nga banorët e tjerë.
Hyri si grua e fortë, doli si grua e fortë
Në këto 100 ditë, Olta shumë rrallë u lëkund apo u prek. Pothuajse të gjitha momentet ku ajo u prek, kishin të bënin me familjen dhe djalin e saj. Gjithsesi, ajo zgjodhi që në më shumë se 3 muaj të mos e përmendte të birin dhe të luante lojën e saj. Olta zgjodhi të mos viktimizohej dhe ta mbante deri në fund imazhin e një gruaje të fortë. Siç tha edhe ajo, “nëse do të tregonte botën e saj emocionale, do të ishte larguar me kohë”.
Tregoi zgjuarsi në shumë hapa të lojës
Olta dinte ku ta lëshonte dhe ku ta shtrëngonte peun. Nëse shihte që situata merrte për kot, nxirrte kartat e saj. Ajo dinte t’i provokonte banorët dhe të merrte atë që donte, që të luante lojën e saj.
Spontane
Që të jemi të sinqertë, Olta ishte një personazh shumë spontan, pasi gjente tematika bisede me të gjithë, bënte dhe mbante shakatë, si dhe ishte e para që i merrte seriozisht sfidat, duke treguar se pavarësisht lojës, ishte edhe një grua e lirshme dhe komode.
Dinte të kërkonte dhe të pranonte ndjesën
Në 100 ditët e tensionit, Olta u përfshi në shumë debate, ama, në shumë situata, ajo kërkoi ndjesë dhe në shumë të tjera, ajo e pranoi faljen e banorëve. Rasti më i freskët, dje kur i kërkoi falje Gent Hazizit dhe kur pranoi ndjesën e Luizit.
I dha vëmendjen e duhur çdo banori
Që prej Armaldos, Luizit e çdo banori tjetër me të cilin Olta qëndroi, ajo arriti t’u jepte vëmendjen e duhur, t’u shërbente për lojën e tyre dhe të merrte ato që donte për lojën e saj. Olta ishte ndër të vetmet banore që i motivonte të tjerët, veçanërisht me Armaldon. Për sa i përket Luizit, Olta luajti rolin e një antagonisteje perfekte dhe pa të, loja e Luizit, ndoshta nuk do të binte kaq shumë në sy.
Doli në mënyrën më të bukur të mundshme
Olta takoi djalin dhe vogëlushi nuk iu afrua, për shkak të mungesës së saj të gjatë. Ky ishte një moment shumë prekës, jo vetëm për Oltën, por edhe për publikun.
Pas këtij takimi, Olta u dorëzua plotësisht dhe doli nga shtëpia. Kjo dalje ishte sa domethënëse, aq edhe prekëse, pasi pavarësisht faktit që ishte një prej konkurrenteve më të forta për në finale, madje edhe për të prekur çmimin e madh (sipas shumë komenteve në rrjetet sociale), Olta rendi pas djalit dhe dashurisë për të birin.