Regjisori i njohur dhe “Artisti i Merituar”, Kristaq Mitro është ndarë nga jeta në moshën 77-vjeçare. Lajmin e trishtë e dha një tjetër figurë e kinemasë, Mevlan Shanaj, i cili shkroi një Facebook:
“Lamtumirë Kristaq Mitro, miqësi që nga koha studentore, në një klasë, në një dhomë, deri së fundi si mësimdhënës në Universiteti i Arteve, në degën e regjisë së filmit. Ike duke lënë në ekranin shqiptar si regjisor vepra me sukses të pakontestuara! Ngushëllime familjes dhe gjithë miqve”.
Sipas burimeve, Kristaq Mitro vuante nga një sëmundje e rëndë dhe kishte shkuar në Austri për të kryer një ndërhyrje.
Kristaq Mitro ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kinemanë shqiptare dhe prej vitesh, ka qenë pedagog në Akademinë e Arteve, Tiranë. Ai është regjisori i filmave:
“Një djalë dhe një vajzë”, “Telefoni i një mëngjesi”, “Duaje emrin tënd”, “Apasionata”, “Njeriu i mirë”, “Në prag të lirisë”, “Liri a vdekje”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Dimri i fundit”, “Tokë e përgjakur”, “Kur zbardhi një ditë” (ndihmës regjisor).