SHBA arreston të dyshuarin për publikimin e dokumenteve të Pentagonit

FBI ka arrestuar një roje kombëtare ajrore, 21-vjeç nga Massachusetts, i dyshuar si përgjegjës për nxjerrjen e dokumenteve të fshehta të mbrojtjes amerikane që nxorën sekrete ushtarake dhe prishën marrëdhëniet e Uashingtonit me aleatët kryesorë.
Jack Teixeira u arrestua në shtëpinë e tij në qytetin North Dighton nga agjentët e FBI-së. Teixeira besohet të ketë qenë udhëheqësi i një grupi chat në internet ku qindra fotografi të dokumenteve sekrete dhe top-sekret u ngarkuan për herë të parë, nga fundi i vitit të kaluar deri në mars. Grupi në internet e quajti veten Thug Shaker Central, i përbërë nga 20 deri në 30 të rinj dhe adoleshentë që kishin pasion armët, pajisjet ushtarake dhe lojërat. Gjuha raciste ishte një tipar i përbashkët i grupit.
Serbia mohon furnizimin me armë Ukrainës

Presidenti serb thotë se vendi i tij nuk i ka shitur armë Ukrainës dhe nuk do ta bënte këtë, pasi një raport i Pentagonit i bërë publik tha se Beogradi kishte rënë dakord t'i jepte armë Kievit, sipas raporteve të mediave të huaja. “Serbia nuk ka eksportuar e as nuk do të eksportojë armë në Ukrainë”, u tha Aleksandar Vucic gazetarëve të enjten, sipas agjencisë së lajmeve Beta.
Ai shtoi se Serbia, një aleat i Rusisë, "nuk ka dërguar dhe nuk do të dërgojë" municione as në Ukrainë, as në Rusi.
Sërish protesta në Francë

Protestuesit që kundërshtojnë planin e presidentit Emmanuel Macron për të rritur moshën e pensionit në 64 vjeç marshuan sërish të enjten në qytete. Demonstruesit shënjestruan zyrat e Bankës Qendrore në Paris dhe shkatërruan selinë e konglomeratit luksoz LVMH - por vëmendja e tyre u përqendrua gjithnjë e më shumë në Këshillin Kushtetues, i cili do të vendosë të premten nëse do të anulojë një ose të gjitha pjesët e legjislacionit.
Aktivistët hodhën thasë me mbeturina jashtë fasadës së këshillit në mëngjes.
Aparatet e dëgjimit mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të demencës, zbulon studimi
Mbajtja e aparateve të dëgjimit mund të ndihmojë në uljen e rrezikut të demencës, sipas një studimi dhjetëvjeçar, i cili sugjeron se trajtimi i hershëm i humbjes së dëgjimit mund të ndihmojë në uljen e barrës globale të sëmundjes.
Njerëzit që kanë humbur dëgjimin dhe që nuk përdorin aparat dëgjimi mund të kenë një rrezik më të lartë të demencës sesa njerëzit pa humbje dëgjimi, sugjeron hulumtimi. Por sipas studimit të ri, përdorimi i një aparati dëgjimi mund ta zvogëlojë këtë rrezik në të njëjtin nivel me njerëzit pa humbje dëgjimi.