Dikush që rrufit çajin, dikush që merr frymë rëndë ngjitur teje, dikush që nuk ndalon së shtypuri stilolapsin...Ju vlon gjaku kur i dëgjoni këto? Epo s’jeni ju. Është çrregullimi i trurit tuaj që quhet mizofonia.
Mizofonia është një fjalë që rrjedh nga greqishtja e lashtë dhe do të thotë “urrejtje ndaj tingullit". E njohur gjithashtu si sindroma e ndjeshmërisë selektive, është një anomali e mirëfilltë e trurit me simptoma psikologjike dhe fiziologjike.
Tingujt që shkaktojnë mizofoninë mund të ndryshojnë nga një njeri në tjetrin. Zakonisht përfshijnë:
- brohoritjet
- tingujt e gëlltitjes/përtypjes
- thithja me zhurmë e lëngjeve
- pastrimi i fytit
- përplasja e buzëve
- letrat me zhurmë
- tingujt e akrepave të orës
- tingujt e zogjve etj.
A është mizofonia një shenjë e inteligjencës dhe dhe kreativitetit?
Psikologët besojnë se mënyra se si njerëzit me mizofoni përpunojnë informacionin shqisor mund të lidhet fort me mendimet kreative. Kjo do të thotë se një mbindjeshmëri ndaj tingullit mund të jetë në fakt një çelës për të kuptuar më mirë gjenialitetin e njerëzve si Charles Darwin, Franz Kafka, Anton Chekhov dhe Marcel Proust – secili prej të cilëve besohet se ka pasur mizofoni.
Shkencëtarët besojnë se kjo vëmendje e veçantë ndaj tingujve nxit kreativitetin sepse zvogëlon aftësinë për të injoruar informacionet e parëndësishme shqisore. Pra, njerëzit me mizofoni priren të kenë një filtrim të reduktuar të informacionit shqisor, që do të thotë se ata i kushtojnë vëmendje një game më të madhe stimujsh dhe kanë më shumë gjasa të krijojnë lidhje midis koncepteve ose ideve. Kjo lloj vëmendje shoqërohet me rritjen e kreativitetit.
Kështu që herën tjetër që përtypja e dikujt ju bezdis, përpiquni të kujtoni se mbindjeshmëria ndaj zhurmës në sfond mund të jetë një shenjë e kreativitetit dhe inteligjencës.