Anonim të lutem

Trendi viral në TikTok për humbjen e peshës: Një vajzë tregon për Anabel mbi përvojën e rrezikshme

Shkruar nga Anabel

24 Qershor 2023

Trendi viral në TikTok për humbjen e peshës: Një vajzë

Në epokën e rrjeteve sociale, ku tendencat dhe sfidat përhapen masivisht brenda pak sekondash, TikTok është shfaqur si një platformë e fuqishme që ndikon te miliona njerëz në mbarë botën. Mes videove argëtuese, ekziston një anë më e errët që përqendrohet te standardet e bukurisë, një anë që nuk është aspak miqësore për njerëzit nën ose mbipeshë. Një vajzë shqiptare, e cila preferoi të mbetej anonime, shpjegon për Anabel se tentoi të humbte peshë përmes një metode që ishte trend në rrjete sociale dhe përjetoi një përvojë të rrezikshme.

Ajo rrëfeu për redaksinë sonë se dëgjoi për medikamentin Ozempic nga mikeshat e saj. Ato kishin lexuar në rrjete sociale se ky ilaç – i përdorur për pacientët me diabet të tipit 2 – ndihmon për të humbur peshë. E joshur nga ideja për disa kilogramë më pak dhe si një person që prej vitesh kishte pasur probleme me luhatjet e peshës, ajo vendosi ta përdorte.

“Dëgjova mikeshat e mia dhe u shtyva që ta përdorja edhe unë. Të them të drejtën, nuk pashë ndonjë rezultat sepse e ndërpreva fill sapo kuptova që po përjetoja simptoma të depresionit. Isha gjithë kohën në një gjendje depresive dhe nuk e kuptoja se çfarë po ndodhte.” – u shpreh ajo.

Që prej tetorit të vitit të kaluar, Ozempic dhe ilaçe të tjera të përdorura nga pacientët me diabet të tipit 2 ishin trend në TikTok për shkak të efektit anësor të humbjes së peshës. Elon Musk ka postuar më parë në Twitter për Wegovy për të humbur peshë. Andy Cohen postoi në Twitter rreth njerëzve që merrnin Ozempic për humbje peshe. Disa njerëz në TikTok e lidhën humbjen e supozuar të peshës me Kim Kardashian, pavarësisht se Kim nuk ka thënë asgjë.

Ozempic nuk është teknikisht ilaç për humbje peshe. Por konsiderohet i sigurt dhe efektiv për diabetin e tipit 2 dhe ju mund të humbni peshë si një efekt anësor i trajtimit. Nëse merrni Ozempic dhe nuk keni diabet, kjo konsiderohet përdorim jashtë etiketës dhe potencialisht i rrezikshëm.

Efektet anësore më të zakonshme të Ozempic janë: kapsllëk, diarre, të vjella, të përziera, hipoglicemi, sëmundje të fshikëzës së tëmthit, reaksion alergjik etj.

Të përzierat dhe dhimbjet e vazhdueshme të barkut janë shumë shqetësuese. Stomaku dhe truri janë aq të lidhur sa problemet e zorrëve mund të shkaktojë stres, ankth dhe depresion. Këto simptoma mund t'i bëjnë njerëzit të ndihen të izoluar, të mbingarkuar dhe në gjendje depresive.

Efekte të tjera anësore serioze të Ozempic përfshijnë tumoret e tiroides, pankreatiti, ndryshimet në shikim, hipoglikemi, dështimi i veshkave dhe kancer.

Mungesa e ilaçeve të tilla ka filluar të bëhet një problem serioz për pacientët që kanë vërtet nevojë për to.

Kompanitë farmaceutike po paralajmërojnë njerëzit që të mos i marrin ilaçet pa u konsultuar me mjekët. Mjekët gjithashtu janë udhëzuar që të mos ua japin njerëzve që nuk kanë nevojë.