
Njerëzit vijojnë të hedhin sende në skenë, ndërkohë që këngëtarët performojnë. Pas Bebe Rexhës, P!nk dhe Lil Nas X, shënjestra e radhës ka qenë Drake, i cili ishte duke kënguar “So Anxious” kur një telefon fluturoi në skenë.
Videoja e këtij momenti u bë virale dhe shihet se si telefoni godet reperin 36-vjeçar në krahë, por gjithsesi, ai s’e ndali performancën. Drake pa telefonin teksa prekte tokën dhe vijoi të perfromonte. Ai nuk tha asgjë për ngjarjen, madje nuk bëri asnjë reagim nëpër rrjetet sociale.
Bebe Rexha gjithashtu ka qenë viktimë e një sulmi me telefon, ku për fat të keq, dikush e goditi në fytyrë. Si pasojë e goditjes, Bebe u detyrua të qepte vetullën, gjithashtu u shfaq edhe me hematomë në sy.
Rishtazi, njerëzit nëpër koncerte kanë nisur të tejkalojnë limitet. Një vajzë hodhi drejt P!nk hirin e së ëmës, dikush i hodhi në skenë një lodër seksi Lil Nas X dhe një person goditi me shpullë Ava Max në mes të performancës.
Shumë këngëtarë, mes tyre Adele kanë bërë thirrje që të ndalen këto sulme pasi janë krejt të pakuptimta dhe mungesë respekti për artistët.