
Këngëtari legjendar Tony Bennett ka ndërruar jetë në moshën 96-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga publicistja e tij, Sylvia Weiner.

Tony ndërroi jetë në New York dhe ende nuk dihet shkaku specifik, por në vitin 2016, ai u diagnostika me Alzheimer.
Bennett njihet për këngët e tij fantastike si “The Way You Look Tonight” dhe në karrierën e tij ka shitur miliona albume dhe ka fituar 20 Grammy. Ai ka bashkëpunime të jashtëzakonshme me Frank Sinatra-n, e cili e ka cilësuar si “këngëtarin më të mirë në industri”, Aretha Franklin dhe Lady Gaga.

Bennett ishte 10 vjeç kur i ati i tij ndërroi jetë duke e lënë familjen në varfëri të plotë. Ai i hyri karrierës në muzikë në adoleshencë dhe e admironte artin në përgjithësi. Tony iu bashkua ushtrisë amerikane në vitin 1944, në Luftën e Dytë Botërore.

Pas rikthimit në shtëpi, karriera e tij artistike vijoi, fillimisht me nofkën Joe Bari. Bennett, shpejt u kthye në një ikonë dhe publikoi albumin e tij të parë në vitin 1952, duke fituar zemrën e njerëzve me hite si: “Blue Velvet” dhe “Rags to Riches”.
Katër vite pas diagnostikimit me Alzheimer, Tony performoi shfaqjen e fundit me Lady Gaga-n dhe më pas, u shpreh në rrjetet sociale se “Jeta është një dhuratë, edhe kur ke Alzheimer”.