SPOILER Alert: Në vijim zbulohen detaje nga filmi "Oppenheimer".
Nipi i J. Robert Oppenheimer, Charles, ka thënë se "pjesa që i pëlqen më pak" në filmin biografik nga regjisori Christopher Nolan është skena me mollën e helmuar.
Në një moment në film, J. Robert Oppenheimer (Cillian Murphy) shihet duke injektuar helm te molla e profesorit të tij, por më vonë ndryshon mendje dhe shkon e hedh.
Nolan u bazua shumë te libri biografik i vitit 2005, “American Prometheus” (Prometeu amerikan), ku thuhet se Oppenheimer mund të kishte qenë vrasës, por theksohet se një pretendim i tillë ishte i dyshimtë sepse nuk kishte asnjë të dhënë historike që ngjarja ka ndodhur.
“Kur fola me Chris Nolan, në një moment ai tha diçka përafërsisht si: ‘Do të ketë pjesë që duhet t'i dramatosh pak dhe pjesë që do të ndryshohen. Si anëtarë të familjes, unë mendoj se do t'ju pëlqejnë disa pjesë dhe nuk do t'ju pëlqejnë disa të tjera”, tha Charles Oppenheimer për TIME.
“Ka pjesë me të cilat nuk jam dakord, por jo për shkak të Nolan-it. Pjesa që më pëlqen më pak është kjo referencë e mollës helmuese. Nëse lexoni ‘American Prometheus’ me kujdes, autorët thonë: ‘Ne nuk e dimë vërtet nëse ka ndodhur.’ Nuk ka asnjë të dhënë që ai përpiqet të vrasë dikë. Kjo është një akuzë vërtet e rëndë. Nuk ka asnjë armik apo mik të vetëm të Robert Oppenheimer që e ka dëgjuar këtë gjatë jetës së tij dhe e ka konsideruar të vërtetë.”
Charles Oppenheimer shtoi se ai do ta kishte hequr skenën e mollës, por theksoi se nuk i takonte atij të ndikonte te Nolan. “Nuk mund ta imagjinoj veten duke i dhënë këshilla Nolan-it për filmat. Ai është ekspert, ai është artist dhe është gjeni në këtë fushë”, tha ai.
“Oppenheimer” sjell historinë e Julius Robert Oppenheimer, shkencëtari që drejtoi “Projektin Manhattan”, nisma kërkimore që çoi në prodhimin e armëve të para bërthamore, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Filmi eksploron në mendjen e shkencëtarit, ideologjitë e tij, pendesat, mendimet dhe mënyrën se si shteti përdor mendjet brilante në interesin e vet. Burri që qëndronte në krye të “Projektit Manhattan” dhe që zhvilloi bombën e parë atomike në botë, u ngrit në qiell dhe më pas u përplas për disa çaste, brutalisht në tokë.