
Mund ta them pa frikë se sa herë shoh që në kastin e një filmi është Joaquin Phoenix, bëhem paksa subjektive dhe e shoh filmin pa u menduar dy herë. Ç’është e vërteta, Phoenix s’më ka zhgënjyer kurrë dhe filmi “Beau Is Afraid” ma përforcoi si mendim. Edhe regjisori, Ari Aster (i famshmë për filmat “Hereditary” dhe “Midsommar”) nuk mbetet pas, ndaj, kaq m’u desh që ta shihja dhe të qaja me një film të papërsëritshëm.
“Beau Is Afraid” tregon marrëdhënien komplekse mes një djali dhe nënës së tij të dhunshme dhe në të njëjtën kohë, tregon të gjitha ndjesitë e tyre, traumat dhe ankthet, por s'e lë pas humorin dhe ngjarjet tragji-komike.
Nëna e bind Beau që të ketë frikë nga e gjithë bota dhe meqë ai s’është e ëma dhe është një individ me mendimet dhe emocionet e tij, ai përpiqet shpesh të ngrejë zë dhe të reagojë. Menjëherë, e ëma e manipulon, duke e kthyer në gjendjen fillestare. Filmi provokon publikun, e nxit të ndiejë ankth dhe siklet, për të cekur çështje si: shëndeti mendor, dhuna dhe marrëdhëniet toksike, që nisin në familje dhe na shoqërojnë për gjatë gjithë jetës.

Ajo që më bëri përshtypje te ky film ishte historia e treguar në mënyrë shumë unike dhe intriguese. Në shumë skena, mendja s’ma rroku se do të trajtoheshin probleme të tilla nga lupa e një djali që ndien paranoja e në shumë skena të tjera, s’prisja të kisha një lëmsh emocionesh.
E ëma e tij është një personazh, le të themi interesant. Gjatë gjithë filmit, mund ta gjykosh, por s’e di saktësisht se pse. Ajo e çon Beau në disa shtigje pa krye, e bën një person që do të ankohet, por nuk ankohet dot. Beau ka frikë nga seksi, pasi e ëma i ka treguar një histori horror: I ati vdiq gjatë marrëdhënies seksuale në natën e parë të martesës. Sipas saj, ai vdiq për shkak të arrestit kardiak dhe stërgjyshi, gjyshi dhe i ati i tij kanë vdekur në të njëjtën mënyrë, ndaj nëse Beau guxon të bëjë seks, ai do të vdesë.
Kështu, Beau, një meso-burrë i lindur në vitin 1975, është i virgjër. Është e paqartë nëse ai është masturbuar apo ka pasur ëndrra erotike në adoleshencë. Sigurisht, e ëma e ka krijuar historinë që Beau të mos e braktisë kurrë për një tjetër grua. Megjithatë, një tjetër grua vjen në jetën e tij.
Krejt pa kuptuar, “Beau Is Afraid” më shkaktoi ca lot, sepse kinemaja, librat, pikturat, poemat dhe njerëzit përreth na kanë treguar se sa speciale është lidhja fëmijë – nënë, ama, shumë rrallë kemi hasur një marrëdhënie të vështirë, të ndërlikuar, që e tejkalon instinktin amësor dhe depërton në traumat, dëshirat dhe mendimet personale të një nëne. Ka nëna të dashura, të mira, të buta, siç përshkruhen zakonisht, por ka edhe nëna që kontrollojnë bijtë e tyre dhe i detyrojnë që ata të kenë vetëm një qëllim: Të thyejnë zinxhirët e kontrollit dhe të arratisen larg, sa më larg të jetë e mundur.
“Beau Is Afraid” nuk ka frikë të adresojë dhunën dhe ndikimin që kjo dukuri lë në jetën e gjithsecilit. Është një film që s’e sheqeros fare këtë ndikim, përkundrazi, tregon qartë dhe troç sesi njerëzit dekurajohen nga egërsia e saj, sesi tkurren dhe sesi fëmijët krijojnë trauma të thella. Nga ana tjetër, trajton edhe këndvështrimin e prindit dhunues, me gjithë frikërat dhe mendimet e tij.
Suspanca dhe tensioni që filmi përcjell janë të jashtëzakonshme dhe i japin “Beau Is Afraid” një ngjyrim herë dramatik e herë shumë real. Loja e kamerës, lëvizja dhe aktrimi i kastit Joaquin Phoenix, Patti LuPone, Nathan Lane, Amy Ryan, Kylie Rogers, Parker Posey e Richard Kind e bëjnë edhe më fantastik.
“Beau Is Afraid” është një film distopik, i cili ka plot të papritura, nga fillimi deri në fund, me ngjarje të pazakonta që e bëjnë të vështirë ta ndajnë imagjinatën nga realiteti. Beau jeton në botën e tij traumatike, me fiksime dhe paranoja, i kontrolluar nga e ëma, e cila qysh në fëmijëri e dënonte dhe e mashtronte.
Pra, nëse po mendon për një film paksa të vështirë, që depërton thellë në shëndetin mendor dhe raportet familjare, mos e humb, sepse edhe ti do të përfshihesh në rrugëtimin dhe të gjithë odisenë raskapitëse për Beau-n që i hipën avionit, do të mbërrijë në shtëpinë e sigurt, në atë pa dhunë, pa ulërima, presione psikologjike dhe një fytyrë që transmeton paqendrueshmëri dhe përballet me të vërteta që e thyejnë edhe më shumë, ose e zgjojnë nga ëndrrat surreale.
Artikuj të sugjeruar: