Shqipëria

Riprodhimi i asistuar për trajtimin e infertilitetit do të ofrohet në spitalet publike

Shkruar nga Anabel

22 Gusht 2023

Riprodhimi i asistuar për trajtimin e infertilitetit do të ofrohet

Për herë të parë në spitalet publike, fillimisht në maternitetit “Koço Gliozheni” e më pas në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, do të ofrohen shërbimet e riprodhimit të asistuar.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, u shpreh se është “drejt përfundimit faza e parë e investimit në maternitetin ‘Koço Gliozheni’ për rehabilitimin e Urgjencës, Qendrës së Gruas, si dhe ngritjen për herë të parë të Qendrës së Riprodhimit të Asistuar, për të zgjeruar shërbimet, duke garantuar një standard të ri për nënat dhe të porsalindurit.”

Përsa i përket riprodhimit të asistuar, ministrja tha se se “jemi duke punuar për investimin sa i përket infrastrukturës, e më tej, pajisjet bio-mjekësore dhe të gjithë paketën e barnave të cilat janë të nevojshme, për të filluar riprodhimin e asistuar për herë të parë në spitalet publike.”

“Jemi duke punuar për përgatitjen e stafit dhe për fuqizimin e kapaciteteve në këtë drejtim, në mënyrë që të kemi dhe një ekip të mirëtrajnuar, i cili do të vazhdojë edhe edukimin në vazhdim përsa i përket këtyre procedurave, të cilat, për herë të parë, do të realizohen në spitalin publik, pikërisht në maternitetin ‘Koço Gliozheni’.”

Riprodhimi i asistuar i njeriut përkufizohet si çdo procedurë që përfshin trajtimin e vezëve, spermës ose të dyjave, jashtë trupit të njeriut. Këtu përfshihet fekondimi artificial, inseminimi intrauterin, fekondimi in vitro dhe stimulimi i vezoreve me medikamente.