
Tendencat e stilit të veshjes së të ftuarve në dasmë ndryshojnë, por një pyetje duket se mbetet: A mund të vishni diçka të zezë në dasmën e dikujt?
Kur bëhet fjalë për dasma, e zeza është konsideruar gjerësisht si një ngjyrë e papërshtatshme, ashtu si e bardha (të cilën supozohet ta veshë vetëm nusja). Por kohët kanë ndryshuar.
“Në shumë raste, veshja e zezë në dasmë është parë si diçka e gabuar, sepse zakonisht ngjyra e zezë lidhet me zinë”, tha për Brides Elaine Swann, eksperte dasmash. “Por është absolutisht e pranueshme që një grua të veshë fustan të zi në një dasmë,” shtoi ajo.
"Me kalimin e viteve, çiftet kanë qenë më të hapur për të thyer rregullat dhe për të zgjedhur kodet jo tradicionale dhe moderne të veshjes nëpër dasma. Sot, ka kaq shumë opsione veshjesh për të zgjedhur, përfshirë edhe të zezën,” tha për The Knot ekspertja Shawne Jacobs.
Megjithatë të dyja theksojnë se ka shumë rëndësi stili personal, vendodhja e dasmës dhe koha e ceremonisë. “Rekomandimi im është të shmangni veshjen e ngjyrës së zezë nëse është një dasmë me shumë atmosferë tropikale [për shembull buzë detit],” thotë Swann.

Kodi i veshjes në dasma
E para dhe më e rëndësishmja, mos u vish me të bardha! Në një dasmë, ka vetëm një nuse. Nëse nuk heq dot dorë, ne të sugjerojmë ngjyra neutrale që të jesh në rregull me të gjithë.
Mos u vish shumë thjesht: Merre pak më seriozisht eventin. Jo domosdoshmërisht e kemi fjalën për xixa, shkëlqim dhe temina, por mos vish gjënë e parë që sheh në dollap. Qëndro larg veshjeve të zyrës dhe nëse nuk bën dot kompromis me rehatinë, investo në një palë taka dhe në një fustan komod.
Përshtatu me vendin: Për shembull: Nëse çifti ka zgjedhur të martohet në kishë, ndoshta duhet të konsiderosh mbulimin e supeve dhe dekoltenë. Një shall elegant, apo një fustan që ka një prerje interesante do të të zgjidhë shumë punë.
Mos e merr më seriozisht se duhet: Siç thamë, vëmendjen e meriton nusja, ndaj nëse po mendon të dukesh *ekstra*, të guxosh me fustane shumë ekstravagante, xixa, printe, apo gjithçka tjetër që bërtet "Dua vëmendje", ndoshta duhet të ndryshosh mendim.
Zgjidh me kujdes këpucët: Nëse sapo dëgjon "Valle kosovare", apo "Vallen e Tropojës" nuk të mban dot vendi, atëherë duhet ta dish më mirë se ne se sa të rëndësishme janë takat e duhura. Përzgjidhi me kujdes, në mënyrë që të jesh sa më rehat dhe ta tundësh vendin duke kërcyer.