Dojna Mema do t’i rikthehet ekranit, këtë herë në një televizion dhe format të ri.
Moderatorja njoftoi në Instagram se këtë sezon do të jetë krah Florjan Binajt në emisionin “Piranjat”, në Syri Tv.
“Rikthehem këtë sezon në një shtëpi të re dhe me përgjegjësinë e një formati që bëhet zëri i atyre që zëri nuk u dëgjohet. E lumtur që ndaj skenën me Florjan Binajn në ‘Piranjat’,” – shkroi Dojna.
“Piranjat” u transmetua për herë të parë në televizionin ABC News, por në janar të këtij viti kontrata nuk u rinovua.
“Me skadimin e kontratës, as nuk është kërkuar nga ana jonë zgjatja e saj, as nuk na është kërkuar nga pronarët e rinj vazhdimi i saj. ‘Piranjat’ sigurojnë të gjithë shikuesit se misioni i tyre vazhdon, në cilindo televizion që të ndodhemi,” njoftoi asokohe emisioni.
Tanimë, “Piranjat” vijon transmetimin në Syri Tv. Sezoni i ri nis të premten, më 15 shtator.