Nëse ka një gjë që shkenca e dietave e ka bërë të qartë, është se ngrënia e ushqimeve me yndyrna të ngopura, sheqerna dhe kripë e bën të vështirë ruajtjen e një peshe të shëndetshme, gjithashtu rrit shanset për sëmundje me kalimin e moshës. Kjo është arsyeja pse disa ushqime duhet të shmangen nga dieta ushqimore dhe nutricionistët rendisin motivet pse:
Hani më shumë ushqime të gatuara në shtëpi. Gatimi në shtëpi është më i sigurt dhe me më shumë vlera për shëndetin sepse ju kaloni çdo përbërës në duart tuaja. Ekspertët nuk dinë të japin arsyet pse, por një gjë është e sigurt: Të gatuarit në shtëpi është zgjidhje më e mirë se të porositurit e ushqimit jashtë.
Hani më shumë perime, fruta dhe drithëra. Këto produkte kanë lëndë ushqyese që ndihmojnë në reduktimin e tundimit për ushqime të yndyrshme, me sheqer apo të kripura. Pa e tepruar dhe në mënyrë të moderuar, frutat dhe perimet nuk çojnë në rritje të sheqerit në gjak apo probleme të tjera.
Jini të vetëdijshëm për kaloritë. Thonë shpesh se kaloritë nuk kanë rëndësi, por nutricionistët këmbëngulin se ato kanë rëndësi. Nëse njerëzit marrin më shumë kalori sesa shpenzojnë përmes aktivitetit do të përfundojnë me një peshë jo të shëndetshme.
Jini të kujdesshëm ndaj dietave ekstreme. Shmangni dietat që nxisin konsumin vetëm të disa ushqimeve të caktuara dhe heqin plotësisht të tjerat, ose që diktojnë saktësisht se çfarë duhet të hahet apo kur.
Reduktoni mishin e kuq dhe mishin e përpunuar. Mishi i kuq është plot me yndyrna të ngopura, por edhe produktet e tjera të mishit të paketuara, duke përfshirë pulat, përmbajnë kripë, sheqer dhe yndyrë të shtuar.
Përqendrohuni te zakonet dhe stili i jetesës, jo te vullneti. Më mirë të bëni ndryshime të vogla dhe të shëndetshme në rutinën e përditshme dhe stilin e jetës, se të ndiqni zakone që shkojnë deri në sakrificë për të ngrënë apo për t’u stërvitur.
Ecni. Kjo nuk sjell një humbje peshe të befasishme, por me siguri do të çojë në një shëndet më të mirë. Filloni me pak ecje çdo ditë dhe ngadalë rrisni distancën dhe shpejtësinë me kalimin e kohës.
Burimi: Newsweek