Kandidati i pavarur për president të Tajvanit, Terry Gou, dëshiron të marrë masa kundër plakjes së popullsisë së Tajvanit duke u shpërndarë kafshë shtëpiake familjeve me fëmijë të porsalindur.
Rënia e popullsisë së vendit ka shkaktuar frikë për të ardhmen e zhvillimit ekonomik pasi pritet një mungesë talentesh. Bizneset kanë kërkuar importin e më shumë punëtorëve migrantë, ndërsa sipërmarrësit kanë theksuar nevojën për të tërhequr studentë të huaj dhe për t'i bindur ata të qëndrojnë pas diplomimit.
Miliarderi, i cili është themeluesi dhe ish-drejtori ekzekutiv i Foxconn, prodhuesi më i madh në botë i pajisjeve elektronike, klientët kryesorë të të cilit përfshijnë Apple, sugjeroi që në të ardhmen, nëse një çift do të kishte një fëmijë, duhet të merrte një kafshë shtëpiake shtesë, ndërsa në rastin e dy fëmijëve, do t'i jepeshin dy kafshë shtëpiake.
Gou u tha të pranishmëve në një tempull të qytetit të Taipeit se rënia e lindjeve në Tajvan mund të trajtohet duke u dhënë prindërve të rinj një mace ose qen. Marrja e një kafshe në Tajvan nuk kërkon leje nga qeveria.
Miliarderi tha se kohët e fundit kishte vizituar një strehë kafshësh dhe mendoi se këto dy çështje (kafshët dhe ulja e numrit të lindjeve) mund të zgjidheshin së bashku.
“Nëse nuk ka lindje në të ardhmen, kush do të kujdeset për miqtë tanë me gëzofë?” u tha ai gazetarëve më vonë. “Kështu që unë i kam bashkuar këto dy çështje. Ju nuk mund të prisni që unë, një person, të propozoj një politikë të plotë për çdo çështje të vogël. Shtimi dhe shumëfishimi i dashurisë, ky është qëllimi im.”
Propozimi u kritikua nga disa politikanë të qeverisë dhe grupe të mirëqenies së kafshëve.