Djathin e gjejmë thuajse kudo! Në sallatë, pasta, sanduiçe e plot receta të tjera të shëndetshme në kuzhinë. Nëse e keni një nga produktet më të preferuara të gatimit, ja ku është një “armatë” me udhëzimet e duhura sipas ekspertëve se me çfarë produktesh mund t’i shërbeni gjashtë lloje djathërash të njohur për ju.
Joey Wells është ekspert global për produktet e qumështit dhe nënproduktet e tij dhe për revistën “PureWow” ai ka treguar disa udhëzime të vlefshme për të gjithë admiruesit e djathërave:
Djathë i freskët
“Një djathë i freskët është mjaft i lehtë për t'u dalluar sepse kjo kategori përbëhet nga djathëra të rinj dhe të butë,” thotë Wells. Sipas ekspertit, ato kanë një aromë më të lehtë dhe më laktike (qumështore). Disa shembuj përfshijnë djathin feta( i butë), ricotta (prodhohet nga hirra e qumështit të deles, lopës, dhisë), mascarpone (krem djathi), chevre (djath dhie) dhe mocarela e freskët. Provoni ta shërbeni këtë djathë me produkte të ëmbla ose të freskëta, si domate, qepë, fasule, uthull balsamike apo edhe shalqi.
Djathë i butë
Brie (djath i butë dhe kremoz) dhe Camembert (djath me qumësht të papasterizuar) janë dy djathëra francezë që futen në kategorinë e djathërave të butë. Mund t’i shërbeni me një shumëllojshmëri ushqimesh, veçanërisht fruta, reçel dhe mjaltë.
Djathë gjysmë i butë
Djathërat e kësaj kategorie kanë bazë qumështin e lopës dhe sipas ekspertit Wells ky djathë shkrihet më së miri në sanduiçe. Mund ta vendosni djathin gjysmë të butë në një pjatë dërrase dhe ta shoqëroni me arra dhe rrush.
Djathë gjysmë i fortë
“Djathërat gjysmë të fortë janë ata që janë vjetëruar dhe kanë shije më të fortë,” thotë Wells. Dy Më të preferuarit janë djathërat cheddar (djathë i verdhë i bërë nga qumështi i lopës) dhe Gouda (djathë holandez me qumësht lope). Eksperti thotë se djathërat gjysmë të fortë serviren me një larmi ushqimesh dhe pijesh.
Djathë i fortë
Djathërat e fortë si Parmigiano Reggiano (djath i fortë me aromë të ëmbël), Pecorino Romano (djathë me qumësht deleje) janë shumë të shijshëm dhe mund të serviren me proshutë, uthull balsamike, arra, domate, pasta, dardhë, etj.
Djathi blu
Eksperti Wells shpjegon se: “Djathërat blu krijohen duke përfshirë mykun në to”. Lloji më e zakonshëm i djathit blu është Gorgonzola (djathë i mykur). Shija e tij unike shkon shumë mirë me reçelin, mjaltin, frutat si fiq, dardha dhe mollë.